Pezullimi i punimeve në Rrugën A, as pas 11 ditësh askush s’është ankuar në Gjykatë

Qe 11 ditë është marrë vendimi për pezullimin e punimeve në rrugën “A”, mirëpo në Gjykatën Komerciale ende nuk është dërguar asnjë ankesë lidhur me vendimin e shkallës së parë. Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, kur njoftoi për këtë vendim, tha se ai është bazuar në interesa politike dhe të grupeve të interesit.

Më 20 tetor, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale ka vendosur që të pezullojë punimet në rrugën “A”, për të cilën thoshte se do e zhbllokojë Prishtinën. Sipas tij me këtë vendim, është atakuar rëndë interesi publik i qytetarëve të Prishtinës.

“Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, “Rrugën A” (Jim Xhema).”

Këtë vendim, Rama thotë se e ka marrë gjyqtarja Vlora Pacolli, motra e deputetes së VV’së, Fitore Pacolli.

“Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli.”

Ai tha se shpreson që Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike, derisa kërkoi nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, si palë direkte në këtë procedurë, të ankohet ndaj këtij vendimi të Komerciales.

Mirëpo, Gjykata Komerciale ende nuk ka pranuar ankesë lidhur me këtë rast.

Kështu tha për media  zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi.

“Deri në këto momente, Gjykata nuk ka pranuar ankesë nga palët në procedurë”, ka thënë Bekteshi.

Pas reagimeve të shumta për këtë vendim Gjykata Komerciale kishte dalë me një reagim ku thoshte se “retorika e mediave” dhe “deklaratat e politikanëve” mund të kenë ndikim në opinion publik dhe në besimin në institucionet gjyqësore, prandaj sipas Gjykatës është e rëndësishme të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe mos paragjykimit të tyre.

Në reagimin e Gjykatës Komerciale thuhet se palët kanë të drejtë ankese në instancat më të larta gjyqësore prandaj s’duhet paragjykuar çështja pa marrë epilog përfundimtar.

Punimet për ndërtimin e rrugës “A” (pjesa e parë), që është rimëruar “Xhim Xhema” kanë nisur më 27 prill të këtij viti dhe parashihej që punimet të zgjasin 240 ditë apo tetë muaj, derisa kostoja e këtij projekti është mbi 8 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published.