Kryesuesi i KPK-së i shkruan letër Osmanit, pasi kjo e fundit nuk e dekretoi Isufajn për Kryeprokuror

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 17 tetor njoftoi se kishte marrë vendim që të mos e dekretojë për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn.

Osmani gjatë një konference për media, kishte thënë se nuk e ka dekretuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit, Isufajn, meqë sipas saj, procesi është cilësuar “si i parregullt dhe diskriminues” nga të gjithë vëzhguesit, si nga organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare të cilat kanë evidentuar “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit”.

E së fundmi Osmanit me një letër i është drejtuar kryesuesi i Këshillit Prokurorial (KPK), Jetish Maloku.

Kështu ka bërë të ditur, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

“Ka ardhë një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë”, ka deklaruar Kupina.

Këshilli Prokurorial i Kosovës,nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Më 6 prill të vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.