Qeveria: Dokumenti i publikuar për Asociacionin nuk përkon me propozimin evropiano-amerikan

Një ditë më parë në disa media është publikuar draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga Bashkimi Evropian më 21 tetor, mirëpo kjo është demantuar nga Qeveria e Kosovës. 

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se dokumenti që është publikuar dhe që ka qarkulluar mbrëmjen e së martës në disa portale dhe televizione si “draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” absolutisht nuk përkon me propozimin Evropiano-Amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara.

Ndërkaq, mbrëmjen e së martës është publikuar një draft-statut propozim ku objektivat kryesore raportohej të jenë, “Zbatimi i Marrëveshjes bazë të vitit 2013 e ratifikuar nga Kosova dhe e marrëveshjes së vitit 2015, siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës, mbrojtje e dyfishtë”.

Ndryshe, kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kanë kërkuar që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga pesëshja perëndimore më 21 tetor dhe që Serbia realizojë njohjen de-facto.

Leave a Reply

Your email address will not be published.