Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri i Kosovës “ka pranuar atë që kishim paralajmëruar se do ta bënte që në shkurt të këtij viti”.
Ai ka thënë se ndjen keqardhje për interpretimin që në një dekadë partia në pushtet i kishte bërë çështjes së Asociacionit.
“Ndjejë keqardhje për qytetarët e vendit që në një dekadë, janë bërë subjekt i përplasjeve më të rënda ndër-shqiptare që pas çlirimit për një kauzë që ju e zhbëtë. Ndjej keqardhje për këtë lloj politike që mashtron, nxitë, polarizon dhe humbë kohë, për të përfunduar në të njëjtin pozicion; argumentueshëm edhe më keq. Mashtrimi juaj është një faqe e errët e politikë-bërjes kosovare të cilën as e lakmoj as nuk pretendoj ta replikojë. Ballafaqimi juaj me qytetarët e mashtruar nuk është brengë e imja”, ka thënë Abdixhiku.
Kjo marrëveshje sipas tij, është vazhdimësi e angazhimit të të gjitha qeverive, përfshirë dhe qeverinë aktuale për të bërë Asociacionin.
“Në këtë varg tani mund të dëgjojmë dhe jam i bindur se kemi për të dëgjuar, se sa i mirë është Asociacioni tani. Po ajo Zajednicë tani është e mirë. Do të flasim për një Asociacion pa kompetenca ekzekutive – në rastin më të mirë gjithnjë – pa përmendur Letrën e Mogherinit që gjithnjë e thoshte të njëjtën gjë të tillë”, ka thënë Abdixhiku.