Bayraktar viziton Kosovën pas blerjes së dronëve – dekorohet me medalje “Shërbim të Shquar”

Haluk Bayraktar, pronari i kompanisë së dronëve në Turqi është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Bayraktar është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Ministri Maqedonci ka thënë se ka pasur nderin ta pres në takim pronarin e kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar, si dhe ambasadorin e Republikës së Turqisë, Sabri Tunç Angili.

“Bashkëpunimi me kompaninë Baykar që është kthyer në kryefjalën e teknologjisë ushtarake me prodhimet e veta, ka bërë që FSK për një periudhë të shkurtër të ngrisë kapacitetet e saj luftarake në nivelin që garanton mbrojtje territoriale dhe siguri për të gjithë qytetarët tanë. Gjatë këtij takimi diskutuam për projektet e radhës në të cilat do të investojmë, dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi përtej blerjeve”, ka pohuar ministri.

Po ashtu, ministri ka njoftuar se kanë dekoruar me medalje, pronarin e kompanisë së dronëve, Haluk Bayraktar.

“Për vullnetin e gatishmërinë që kjo kompani dhe Republika e Turqisë ka shfaqur për bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, shpreha mirënjohjen time të thellë duke dekoruar me medalje për “Shërbim të Shquar”, Haluk Bayraktar. Lidhja e fuqishme ndërmjet dy shteteve tona do të vazhdoj”, thotë mes tjerash ai.

Ndryshe, Kosova muaj më parë ka blerë dronë Bayraktar. Dronët inteligjentë janë sulmues pa pilotë, që kontrollohen nga një bazë tokësore.

Dronët Bayraktar, TB2, hyjnë në mesin e armëve që kanë qëndrueshmëri të gjatë në lartësi të mesme (MALE), me rekord fluturimi deri në 27 orë e 3 minuta dhe përveç sulmeve të armatosura kanë për funksione kryesore misionet e inteligjencës, vëzhgimin dhe zbulimin.

 

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.