Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për gjendjen e krijuar në ndërmarrjen “Trepça”.
Rizvanolli ka thënë se ata kanë arritur marrëveshje më 2 nëntor me minatorët duke iu përgjigjur kërkesave që ata i kanë shtruar, mirëpo ka thënë që greva e tyre nuk ishte organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte.
“Përgjatë kësaj periudhe ndërmarrja Trepça ka pasur sfida të ndryshme, përveç sfidave të vjetërsisë së pajisjeve dhe sfida tjera në lidhje me burime njerëzore që janë tash e një kohë. Situata ka qenë më e rënduar për shkak edhe të vazhdimit të ndikimit të krizës energjetike, çmimeve shumë më të larta të energjisë elektrike në krahasim me nivelet e para krizës, mirëpo edhe të rënies së çmimeve të metaleve në bursë gjatë këtij viti”, ka thënë Rizvanolli.
“Si rezultat ndërmarrja ka qenë në situatë të tillë që ka pasur vonesë të pagesës së plotë të pagës në kohën kur ka filluar greva, përkatësisht gjithë punëtorët e ndërmarrjes kanë pasur të ekzekutuar 55 për qind e pagës ndërsa 45 për qind të tjera kanë qenë në pritje të subvencionit të qeverisë, subvencion ky që është një ditë para se të fillojë greva. Një pjesë e punëtorëve kanë hyrë në grevë me kërkesat, ekzekutimi i pagave për muaj të behet nga data 1 deri më 10 të muajit pasuese, shkarkimi i ushtruesit të detyrës të kryeshefit aktual dhe mos emërimi i ndonjë kryeshefi të harxhuar, menaxhmenti i ardhshëm të mundësoj sigurim shëndetësore, mjete dhe kushte të mira të punës”.
“Sa i përket çështjes së pagave, pra një ditë pas fillimit të grevës kjo çështje është adresuar pas ekzekutimit të pagave nga ndërmarrja Trepça dhe bordi ka dhënë shpjegime dhe ka dhënë gatishmërinë e plotë që të diskutojë dy kërkesat tjera që kanë të bëjnë me sigurimin shëndetësor, mjetet dhe kushtet më të mira të punës”.
“Ndërsa sa i përket kërkesës, shkarkimi i ushtruesit të detyrës të kryeshefit aktual, bordi ka informuar punonjësit se vlerësimi dhe emërimi i kryeshefit është kompetencë komplet eksluzive e bordit dhe u ka garantuar se vlerësimi i performancës së të gjithë zyrtareve të lartë të ndërmarrjes përfshirë edhe i kryeshefit do të vazhdojë dhe hapat që do të ndërmarrën do jenë në përputhje me të gjeturat, performancën, faktet, argumentet dhe legjislacionit në fuqi”.
“Pas kësaj greva ka vazhduar megjithëse greva nuk ka qenë e organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte kyç, duke përfshirë këtu se nuk ka pasur informata në lidhje me organizatorët e grevës, me numrin e saktë të grevistëve dhe gjendjen shëndetësore të secilit prej tyre, kohën e hyrjes dhe daljes së grevistëve dhe personave të tjerë në miniere”.
“Andaj edhe për bordin ka qenë situatë e vështirë duke qenë se nuk ka pasur një Këshill Grevist siç parashihej me ligj i cili do të ishte i autorizuar për të përfaqësuar këndvështrimet dhe qëndrimet e punëtorëve. Pas një periudhe gjatë secilës ka pasur diskutime të vazhdueshme në mes të bordit dhe përfaqësueseve të punëtorëve, me datë dy nëntor të këtij viti, bordi mbikëqyrës i përkohshëm ka arritur marrëveshje me minatorët protestues për çështje që po adresohen”.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, e ka pyetur ministren e Ekonomisë për arsyen e shkarkimit të Bordit të Trepçës dhe emërimin e Bordit të ri.
“Ne si Qeveri në asnjë emërim nuk e bëjmë as në bazë të njoftësive dhe as në bazë të favoreve. Nuk i bëjmë favor askujt kur t’i emërojmë i vlerësojmë në bazë të perfomacës së tyre”, është përgjigjur Rizvanolli.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ja tgëbë që ajo i ka injoruar kërkesat e minatorëve duke i rrezikuar me neglizhencë.
“Në asnjë mënyrë nuk e kuptoj se si i keni injoruar minatorët, për mos komunikim, mos vizitë të ta i keni rrezikuar gjithë ata minatorë dhe i keni shqetësuar familjet e tyre”, ka thënë Lekaj.
“Si ndihesh si ministre që me leje e juaj i keni ngujuar minatorë për mos komunikim, mos vendim. Me qenë në pozitën tanë unë kish qajtë nuk kisha qeshur”.
Për Rizvanollin ishte e turpshme krahasimi i grevës se minatorëve të viteve të 90-ta, me atë të ditëve të fundit, pasi tha që Kosova tani më është shteti më demokratik ne rajon dhe se greva e fundit e minatorëve nuk ka qenë grevë urie.
DTV