Bislimi: Raporti i KE-së konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i cili sot gjatë ditës ka pranuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog,  Raportin e Vendit 2023 të Komisionit Evropian, ka thënë se ky raport mes tjerash konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së. Ndërsa ka pohuar se raporti për herë të parë adreson dhe vendimin final të BE-së që qytetarët e Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza nga 1 Janari i vitit që vjen.

“Në të njëjtën kohë, raporti e adreson për herë të parë edhe vendimin final të BE-së, që qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen duke filluar nga 1 Janari i vitit 2024. Raporti i vendit, mes tjerash konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së. Dëshmohen arritje të rëndësishme legjislative tek kriteret politike, zbatim të masave e progres në ato ekonomike e standardet e BE-së”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai më tej ka pohuar se në agjendën e integrimit evropian, Qeveria e Kosovës është vlerësuar për arritjet në zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) dhe Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023–27.

“Vendi ynë shënoi të arritura në reformat e brendshme në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, progresin ekonomik dhe social, liberalizimin e vizave dhe përkushtimin në bashkëpunimin rajonal ndër të tjerash.  Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane dhe si shembull i demokracisë në rajon, duhet t’i jepet mundësia që këtë edhe ta dëshmojë. Ne kemi bërë hapin tonë, duke dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE”, ka shkruar Bislimi.

“Andaj edhe në këtë rast, e ftova BE-në, respektivisht Këshillin e BE-së, që ta mandatojë Komisionin Evropian që përmes pyetësorit, të bëjë vlerësimin tonë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kosova vazhdimisht ka dëshmuar se është aleate e BE-së, sepse ajo beson në të ardhmen e vet evropiane”, ka shkruar Bislimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.