Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se pret të gjendet një zgjidhje sa i përket kërkesave të Njësive Speciale elitare të Policisë së Kosovës në takimin me kryeministrin, Albin Kurti i cili pritet të zhvillohet javën e ardhshme.
Kështu tha Hoxha sot para gazetarëve në shënimin e 10 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovë.
Tutje ai tha se sa i përket dorëheqjeve të pjesëtarëve të policisë “ka pasur edhe më herët, e jo vetëm tash”.
“Pres që të gjendet një zgjidhje gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti për kërkesat e njësive elitare. Dorëheqje ka pasur edhe më herët nuk po ndodhim vetëm tani. Situata në veri të Kosovës është e brishtë, kur e dimë se ekzistojnë grupe kriminale në atë pjesë, por Policia e Kosovës është duke kryer detyrat e saja”, tha ai.
Ndryshe, Njësia Speciale Intervenuese (NJSI) e Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME) kanë pezulluar protestën e paralajmëruar të martën, pasi kryeministri Kurti u ka premtuar se javën e ardhshme do t’i presë në takim zyrtar për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre.
DTV