Murati njofton investimin milionësh në infrastrukturën digjitale

Është bërë shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve.

Ministri i Financave, Hekuran Murati derisa tha se vlera e këtij investimi është prej 18.5 milionë euro, shtoi se ky projekt parasheh një serë masash në infrastrukturën digjitale që të krijohet edhe korniza e nevojshme për ofrimin e sa më shumë shërbimeve digjitale.

“Kemi një projektligj që parasheh ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare që kemi nënshkruar me Agjencinë Ndërkombëtare për Zhvillim që është në kuadër të Bankës Botërore. Është një projekt në vlerë prej 18.5 milion euro dhe parasheh një serë masash, veprime dhe investime në infrastrukturën digjitale në mënyrë që të krijohet edhe korniza e nevojshme për ofrimin e sa më shumë shërbime digjitale”, ka thënë Murati.

Ndërsa, deputeti nga AAK, Pal Lekaj tha se më e rëndësishme është të trajnohen zyrtarët publik si t’i qasen këtyre shërbimeve.

Sipas tij, mund të ketë investime me miliona, porse kur nuk kanë njohuri qytetarët nuk është e duhur.

“Sa i përket transformimit digjital është e pranueshme dhe është një lehtësim për qytetaret. Ajo që vlen të theksohet, nuk është projekti parë që është investuar në Kosovë, ne qytetarëve ju kemi ofruar shërbime të tilla, por më tepër gjatë këtyre viteve kam parë që edhe zyrtarët publik nuk janë të trajnuar si duhet si t’i qasen shërbimet digjitale dhe si të ju ofrojnë shërbimet qytetarëve, sidomos ajo pjesa tjetër që janë qytetarët që shumica prej tyre ndoshta edhe nuk dinë si t’i qasen këtyre shërbimeve. Mendoj se është koha të fillojmë së pari ajo edukimi permanent i qytetarëve por edhe zyrtareve publik, ndryshe mund të investojmë miliona dhe që mos të jenë të qasshëm për qytetarët”, tha Lekaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.