/

Deputeti i Parlamentit Evropian: Raporti i BE-së për Serbinë është më negativi deri tani, ngjarja në Banjskë nuk është harruar

Deputeti i Parlamentit Evropian Klemen Groshel tha në një bisedë me korrespondentin evropian N1 se raporti për progresin e Serbisë është më negativi deri më tani. Groshel përkujtoi se diskutimi në Parlamentin Evropian tregoi se perceptimi i Serbisë në institucionet evropiane për momentin nuk është shumë i mirë.

“Ky raport është më negativi deri më tani për Serbinë. Në raportet e mëparshme, Komisioni Evropian ishte më simpatik ndaj Serbisë dhe kishte mesazhe pozitive. Në këtë raport, që do të thosha se është neutral, ngrihen disa pika, siç është dialogu me Kosovën. Është e rëndësishme të theksohet se ajo që shkruhet në Raport dhe ajo që Komisioneri Evropian tha në Parlamentin Evropian janë dy gjëra të ndryshme. Po ashtu, debati në PE tregoi se pozicioni i Serbisë nuk është tamam më i miri në qarqet e Bashkimit Evropian”, theksoi Groshel.

Sipas tij, komentet pozitive të Qeverisë së Serbisë për raportin duhet të shihen në kontekstin e fushatës parazgjedhore që ka filluar.

“Më duhet të theksoj për publikun serb se nëse nuk ka përparim në kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe lirinë e mediave, atëherë nuk ka hyrje në Bashkimin Evropian. Dhe kjo është mjaft e qartë, pavarësisht nga qëndrimi i Qeverisë së Serbisë”, nënvizoi Groshel.

Ai paralajmëroi se pikëpamjet e komisionerit Oliver Varhelyi për gjendjen e shtetit të së drejtës dhe medias ndryshojnë nga qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian dhe se Varhelyi është në marrëdhënie të mira me presidentin hungarez Viktor Orban.

“Të mos harrojmë se fjalën e fundit e ka Këshilli i BE-së. Me sa mund të shoh, qëndrimet e shumicës së vendeve anëtare janë mjaft të qarta dhe shumë më negative se ato të komisionerit Varhelji”, tha Groshel.

Ai tha se në Bashkimin Evropian shtrohet pyetja nëse Serbia po shkon drejt Bashkimit Evropian, drejt Kinës, apo drejt Moskës.

“As ngjarjet në Kosovë, në Banjskë nuk u harruan. Varësisht se si Serbia do të bashkëpunojë me atë ngjarje, varet se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian. Në prapavijë ende ka masa kufizuese, nuk do të them sanksione dhe tashmë është e qartë që Kosova tashmë i ka. Nëse Serbia nuk i përmbush pritshmëritë, do të ketë një politikë radikale të Bashkimit Evropian ndaj saj”, përfundoi Groshel.

Leave a Reply

Your email address will not be published.