/

Hovenier: Është pak shpërqëndruese kjo kërkesa e Kurtit për nënshkrim, në vend se të lëvizet përpara me implementim

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një intervistë për “Atlantic Council” ka folur për dialogun Kosovë-Serbi. Hovenier ka thënë se për SHBA-në është çështje e mbyllur nëse Marrëveshja Bazike, Aneksi dhe marrëveshjet paraprake janë obligative.

“Për SHBA-në çështja nëse këto çështje janë obligative për Kosovën dhe Serbinë është e kryer. Është thënë në kohën kur është arritur Marrëveshja Bazike, është thënë për Aneksin e implementimit dhe për gjitha parapraket e miratuara, se këto janë obligime në të cilat kanë hyrë të dy shtetet”, ka thënë ambasadori amerikan.

Ai ka thënë se Marrëveshja Bazike është përfshirë edhe në konkluzat e një prej takimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe se një veprim i tillë s’është gjë e vogël.

“BE ka përfshirë tekstin e Marrëveshjes Bazike në konkluzat e një prej takimeve të Këshillit të BE-së dhe kjo është një gjë e madhe”, ka potencuar diplomati amerikan.

Ai ka folur edhe për kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për t’i nënshkruar marrëveshjet. Hovenier thotë se e kuptojnë dëshirën e Kurtit për të pasur më shumë siguri se Serbia ka hyrë në këto obligime, derisa përsërit pocizionin e SHBA-së e që është se Serbia ka hyrë në obligime, sikurse që ka bërë edhe Kosova.

“Ne e kuptojmë dëshirën e kryeministrit, për të pasur një siguri më të madhe nga perspektiva e tij, se Serbia ka hyrë në këto obligime. Unë gjithçka që mund të them se cili është pocizioni ynë, dhe është që Serbia ka hyrë në këto obligime dhe ka bërë premtim të bëjë ashtu, siç ka bërë Kosova”, ka shtuar tutje Hovenier.

Ambasadori amerikan ka thënë se e shohin pak shpërqëndruese punën e nënshkrimit, në vend se të lëvizet përpara me implementimin dhe ekzekutimin nga Kosova dhe Serbia. Hovenier thotë se një gjë të tillë e kanë thënë edhe Scholz, Macron dhe Meloni në qëndrimin e tyre pas takimeve në Bruksel, megjithatë thotë se kanë përdorur term ndryshe për nënshkrimin, duke thënë se “s’duhet ngecur në formalitete”, shkruan Express.

“Dhe mendojmë se është pak shpërqëndruese kjo puna e nënshkrimit, në vend se të lëvizet përpara me implementim dhe ekzekutim nga të dy palët. Dhe ky nuk është vetëm qëndrimi i SHBA-së. Në qëndrimin e Sholz, Meloni dhe Macron, ata folën për rëndësinë e lëvizjes përpara dhe të mos ngecet në çështje, ata përdoren term ndryshe për nënshkrimin, formalitete besoj se thanë, dhe ai mbetet qëndrimi ynë”, ka thënë ndër të tjera Jeff Hovenier

Leave a Reply

Your email address will not be published.