/

Kurti takon përfaqësuesit e dy kompanive të energjisë së ripërtëritshme, shpreh interesimin e Kosovës për investitorë të huaj

Para fillimit të Forumit të Paqes në Paris, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi përfaqësuesit e dy kompanive franceze të fushës së energjisë së ripërtëritshme, “Voltalia” dhe “TotalEnergies”, njofton ZKM.

Sipas ZKM, Kurti fillimisht takoi Drejtorin për Zhvillim Ndërkombëtar të “Voltalia”, Gustavo Fernandez, Udhëheqës i projekteve ndërkombëtare të kësaj kompanie me bashkëpunëtorë, dhe pastaj takoi Zëvendës Presidentin për Zhvillimin e Biznesi në EuroAzi për “TotalEnergies”, Antonie Garret, me bashkëpunëtorë.

“Kryeministri nënvizoi interesimin e Republikës së Kosovës për të mirëpritur investitorë të huaj dhe dedikimin e Qeverisë për krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për ta. Ai i njoftoi përfaqësuesit e “Voltalia” dhe “TotalEnergies” me detajet e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, me të cilën synohet që të shtohen 1,200 MW nga burimet e ripërtëritshme. Veçoi projektet ekzistuese dhe të ardhshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga energjia solare dhe e erës, me theks te mundësitë që ofron ankandi aktual për ndërtimin e 100 MW nga energjia solare të shpallur nga Ministria e Ekonomisë, dhe ankandi i ardhshëm i erës me kapacitet deri në 150 MW i cili pritet të shpallet gjatë vitit të ardhshëm, si dhe foli për investimet e planifikuara të Qeverisë në këtë sektor për tri vitet e ardhshme”, thuhet në njoftim.

Më tej, ZKM thekson se “kryeministri Kurti veçoi sukseset në luftimin e krimit dhe korrupsionit, sundimin e ligjit, progresin demokratik, stabilitetin institucional dhe funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, krahas pozitës gjeografike, kornizës ligjore, dhe fuqisë profesionale punëtore si përparësi që Kosova ofron për investitorë të huaj. Kryeministi vuri në dukje se Kosova në vitet e fundit ka shënuar rritje të theksuar të BVP-së, e cila vitin e ardhshëm do të jetë për 50% më e lartë sesa që ishte në vitin 2020”.

“Ai potencoi edhe përparësitë e Kosovës me ndërtimin dhe instalimin e 170 MW të baterive akumuluese, përmes zbatimit të Programit të Kompaktit në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që do të ndihmojnë në integrimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e rinovueshme”, thekson ZKM.

Sipas ZKM, përfaqësuesit e të dy kompanive shprehën mirënjohje për përparimin e Kosovës, përshëndetën edhe mundësitë aktuale dhe të ardhshme të ofruara për investime në sektorin e energjisë së ripërtëritshme dhe procesin profesional dhe transparent. “Gjithashtu shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin për pjesëmarrje në këto mundësi që ofron Kosova”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.