Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ka thënë se Brukseli do të bashkëpunojë me çdo qeveri në Serbi që anëtarësimin në BE e ka si synim strategjik.
Ai theksoi se shpreson që fushata zgjedhore dhe zgjedhjet të jenë të drejta dhe se “ato do të zhvillohen me respekt të plotë dhe debat për tema specifike, e jo sulme ndaj personaliteteve individuale”.
Ai gjithashtu shtoi se shpreson që kuvendi i sapozgjedhur “do të funksionojë në mënyrë më të rregullt”.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale do të mbahen më 17 dhjetor në Serbi. Këto janë zgjedhjet e katërta të jashtëzakonshme parlamentare që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe në vitin 2012.
Giaufret tha se është ende problematike që Serbia nuk e ka përafruar politikën e saj të jashtme me politikën e BE-së.
“Vitin e kaluar kemi pasur një kthim prapa, dhe këtë vit nuk ka pasur përparim të rëndësishëm. Serbia mbeti në pozitën që ishte vitin e kaluar dhe ky nuk është një lajm i mirë. Ne duam ta shohim Serbinë si një partner të përkushtuar të BE-së dhe kjo është arsyeja pse ne insistojmë në harmonizim, kjo nuk është asgjë e re, por agresioni rus kundër Ukrainës e ka bërë politikën e jashtme edhe më të rëndësishme në vendet anëtare”, tha ai
Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur asnjë masë kufizuese kundër Kremlinit që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës.
Kjo është arsyeja pse Serbia e ka ulur në mënyrë drastike shkallën e përafrimit me politikën e jashtme të BE-së.
Serbia është një vend kandidat për anëtarësim të plotë në BE. Këto vende pritet që në mënyrë progresive të harmonizojnë politikat e tyre të jashtme me ato të BE-së.
Për shkak të marrëdhënieve me Rusinë, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull në procesin e negociatave të anëtarësimit që nga viti 2021, sepse disa vende anëtare të BE-së besojnë se vendi nuk mund të përparojë në proces derisa të vendosë sanksione ndaj Rusisë.