Ngriten çmimet e konsumit në tetor

Indeksi i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare 3,3% në tetor 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, derisa inflacioni mujor ishte 0,0% në tetor 2023, ka bërë të ditur sot Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për tetor 2023.

Në një komunikatë për media thuhet se kjo vjen si pasojë e ngritjes së çmimeve të konsumit te perimet (15,9%), pemët (12,1%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (11,1%), gjërat dhe pajisjet tjera rekreative, kopshtet dhe manaret (8,4%), prodhimet ushqimore (7,5%), pijet joalkoolike (6,9%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (6,9%), pijet alkoolike, duhani (5,6%), rekreacioni dhe kultura (5,3%).

Pasojnë mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë (5,1%), blerja e automjeteve (4,9%), buka dhe drithërat (4,7%), restorantet dhe hotelet (4,1%), veshje dhe këpucë (3,5%), mallrat dhe shërbimet e ndryshme (3,2%), energjia elektrike, gaz dhe lendet djegëse të tjera (2,6%) dhe mishi (2,1%) me një ndikim të përbashkët prej 3,8 për qind në IHÇK.

Rënie e çmimeve vërehet te vajrat dhe yndyrat (-11,3%) , lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-9,5%) dhe qumështi, djathi dhe vezët (-1,8%) me një ndikim të përbashkët prej -0,5 për qind në IHÇK.

Përkundër mos ndryshimit në tetor 2023 të indeksit të çmimeve të konsumit krahasuar me shtatorin 2023 vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOPI-it.

Rënie e çmimeve, sipas ASK-së, vërehet te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me 1,0% me një ndikim të përbashkët prej -0,1 për qind në IHÇK.

Ngritja e çmimeve vërehet te veshjet dhe këpucë 1,7% dhe mallrat dhe shërbimet e ndryshme 1,2% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,1 për qind në IHÇK.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.