Mungon siguria në parqet e kryeqytetit, komuna premton vendosjen e kamerave

Përdorimi i motoçikletave, qentë endacakë dhe përdorimi i narkotikëve mbesin dukuri shqetësuese për qytetarët që frekuentojnë në parqet e kryeqytet, veçanërisht në atë të Gërmisë. Për të pasur më shumë siguri në parqe, qytetarët kërkojnë vendosje të kamerave në parqe, ndriçim të mjaftueshëm dhe shenjëzim të shtigjeve.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica ka thënë se ndriçimi në parqe do të shtohet, do të rregullohen lodrat për fëmijët, do të bëhet shejnëzimi i shtigjeve, vendosja e kamerave jo vetëm në parqe, por në të gjithë kryeqytetin, si dhe do të shtohet numri i patrullave policore.

Megjithatë, ai tha se është shtuar edhe një dukuri e re që është sipas tij, shqetësuese, si përdorimi i motoçikletave që po frekuentohen nëpër shtigjet e vizitorëve, që janë në Gërmi.

“Kemi lloj-lloj të them kërcënime apo edhe ankesa që sillen sa i përket sigurisë të qytetarëve duke filluar prej qenve endacakë që janë në parqe, që i frekuentojnë dhe vazhdojnë edhe me dëmtimin e veturave , dëmtimin e pronës, vjedhjen e veturave, përdorimi i narkotikëve , mirëpo edhe një dukuri e re që rishtazi ka filluar të ndodhë, që është brengosje edhe për ne si kryeqytet dhe për policinë e Kosovës është edhe përdorimi i motoçikletave si me dy apo katër rrota që frekuentojnë edhe nëpër shtigjet e vizitorëve që janë në Gërmi dhe si të tillë e paraqesin rrezik për qytetarët “, tha Fushtica.

Fushtica tha se është me rëndësi vendosja e kamerave edhe në parqe, por edhe në pjesë tjera të kryeqytetit , dhe vendosja e masave tjera shtesë që parashihen për këtë plan

“Ne i kemi marrë ankesat e qytetarëve dhe si kryeqytet kemi vendosur dhe kemi pasur javën e kaluar takimin e parë me iniciativë të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca dhe kemi formuar grupin punues për hartimin e planit të sigurisë për të gjitha parqet e kryeqytetit. Në këtë plan që do të hartohet janë të përfshirë të gjitha palët e interesit, duke filluar nga Policia e Kosovës, shërbimi i zjarrfikësve, Drejtoria e parqeve, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Urbanizmit, është edhe Shoqata Alpine që kujdesët relatvisht për parkun e Gërmisë dhe të gjithë palët tjera të interesit për të hartuar masat e nevojshme, që të rritet siguria e parqeve në kryeqytet. Duke filluar me shejnëzimin e shtigjeve, përmirësimi i ndriçimit, përmirësimi edhe i lodrave, por ç’është me rëndësi vendosja e kamerave edhe në parqe edhe në pjesë tjera të kryeqytetit, dhe vendosja e masave tjera shtesë që parashihen për këtë plan”, vijoi Fushtica.

Sa i përket ndriçimit Fushtica tha se,ndriçimi është një komponent shumë i rëndësishëm i sigurisë, pasi që sipas tij, aty ku ka ndriçim ka më shumë siguri.

Ai tha se aty ku nuk ka ndriçim ka rrezik për zhvillim të aktiviteteve kriminale.

“Sa i përket ndriçimit mendoj që është një hapësirë e madhe, dhe po punohet dita ditës. Drejtoria për shërbime publike është përgjegjëse për këtë pjesë, është duke e mbuluar dhe duke vazhduar të mbulojë. Duhet të kemi parasysh se ndriçimi është një komponent shumë i rëndësishëm i sigurisë, aty ku ka ndriçim ka më shumë siguri, aty ku s’ka ndriçim ka rrezik për zhvillim të aktiviteteve kriminale dhe si të tillë ne ndërlidhemi me këtë çështje. Pra edhe do të shikohet aty ku nuk ka ndriçim të mjaftueshëm, të shtohet numri i ndriçimit, të përmirësohet, të riparohet, por më së shumti të vendosen kamerat të monitorimit në mënyrë që të monitorohen aktivitete të dyshimta…Kamerat do të vendosen në çdo park, por jo vetëm në çdo park, ne vetëm kemi fillur me projektin, është në procesin e tenderimit, dhe do të vendosen kamerat në çdo pjesë të kryeqytetit, dhe si të tilla do të monitorohen nga policia e Kosovës “, theksoi Fushtica.

Ndërkaq, për qenët endacak Fushtica ceku se, shpreson që do të ketë edhe strehimore të tjera që do të hapen nga qytetarët me subvencionim, me sterilizim, vaksinim dhe lëshim.

Sipas tij, sa për kontrollimin e parqeve nga Policia e Kosovës do të rritet numri i patrullave në parqet.

Fushtica gjithashtu theksoi se duhet të analizohen bashkërisht dhe të gjendet mënyra më e mirë se si të bëhet jo vetëm parandalimi i aktiviteteve kriminale, por edhe zbulimi i veprave kriminale që ndodhin në parqet e qytetit.

Për sigurinë në parqe, një qytetar i lagjes “Taukbashçe”, Avdyl Tolaj tha se janë të rrezikuar qentë endacak.

“Nga ana njerëzore nuk njoh raste se ka ndodhur diçka, por sa i përket qenëve sigurisht që janë të rrezikuar. Ky kryetari që kam shumë respekt për të, por duket se nuk ka mundur me arrit qëllimin… po shoh shumë qenë edhe nëpër qytet. Rinia, sidomos femrat janë shumë të frustëruara, ndoshta nuk i sulmojnë, por tash kanë marrë frikë. Kështu që ishte dashur të ketë një përkujdesje pak më të madhe… Prishtina ka nisur njëfarë tubimi, në qendra të tjera jo, por ka mundësi që i fusin këtu që të shtohet numri i banorëve”, tha Tolaj.

Ndërsa një qytetarë tjetër, Drin Demaj, në parkun e Gërmisë tha se nuk janë të sigurtë, mund të ketë rrezik nga qentë në mbrëmje.

“Normal që, sidomos në parkun e Gërmisë nuk janë të sigurt se mali është afër, nuk është vend i banueshëm, mundet me pasur rrezik nga qentë, ndoshta edhe prej dikujt se natën normal që nuk ka as njerëz të mirë që rrijnë, mundet me pasë, po ma mirë është me frekuentua ditën”, thekson Demaj.

Ndërkaq, Shyqyri Thaçi, një qytetarë tjetër në parkun e “Taukbahqes” u ankua për rrjedhjen e kanalizimit që kalon në dy tre vende që disa vite, dhe sipas tij nuk po rregullohet nga institucionet përkatëse.

“Në “Taukbahqe”, në këtë park, ku unë jetoj këtu afër, dhe dal rregullisht, këtu janë të sigurtë qytetarët natën, se gjithmonë ka më shumë qytetarë dhe ka drita. Nuk e di që ka ndodhur këtu diçka ndonjëherë, ndonjë incident, që dikush ka ngacmuar një qytetarë këtu. Në parqe të tjera kam dëgjua atje në qytet, në parkun afër Fabrikës së Tullave, kanë ndodhë incidente, por këtu jo. Është një park që mbahet shumë bukur, por problemi është se atje diku rrjedhin kanalizimet në dy vende, është mirë me paraqit, kanalizimet rrjedhin që disa vite në dy tre vende dhe nuk e rregullojnë “, shtoi Thaçi.

Sa i përket sigurisë në parqe, Policia e Kosovës nuk është përgjigjur.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca së bashku me përfaqësues nga Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve -Prishtinë dhe Klubi Alpin Prishtina kanë mbajtur një mbledhje për “Hartimin e Planit për Siguri në Parqet e Kryeqytetit”.

Në këtë mbledhje është diskutuar për elementet e domosdoshme për trajtimin e çështjes së sigurisë në parqet e kryeqytetit, evidentimin e faktorëve kërcënues, vendosja e pajisjeve të sigurisë, monitorimi, verifikimi dhe kontroll të vazhdueshme në mënyrë që të ndërmerren hapa konkret për realizimin e këtij plani.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.