Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, në mjediset e MPJD-së, ka pritur gjeneratën e dytë të programit për diplomaci qytetare, duke u uruar mirëseardhje në vendin e tyre.
Sipas njoftimit për media thuhet se gjatë bashkëbisedimit me anëtarët e programit për diplomaci qytetare, zv.ministrja Gashi u shpreh se ky program, duke pasur parasysh gjeneratën e parë, ka rezultuar të jetë një mundësi e mirë që të rinjtë tanë në diasporë të rilidhen me vendin, duke sjellë përvojën dhe praktikat e tyre.
“Prandaj, duke parë rëndësinë e këtij programi, Gashi tha se ndihet mjaft e lumtur që këtë vit numri i anëtarëve të programit është rritur në 25 veta, nga 11 shtete, të cilët do të angazhohen edhe në ministritë e tjera të linjës. Kështu, do të rritet edhe mundësia e krijimit të lidhjeve të reja me shtetet prej nga vijnë këta profesionistë”, thuhet në njoftimin për media.
Zëvendësministrja Gashi, duke i falënderuar për vullnetin e treguar për angazhim në kuadër të këtij programi, u uroi shumë suksese.
“Ajo u shpreh se një program i tillë jo vetëm do t’u mundësojë angazhimin e drejtpërdrejtë në institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe do ta forcojë lidhjen e tyre me Kosovën”, thuhet në njoftim.
DTV