Pjesëmarrja gjinore në trupat e menaxhimit të zgjedhjeve (Komisione Komunale të Zgjedhjeve dhe Këshilla të Vendvotimeve) dhe ndryshimet ligjore në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, ishin temë e tryezës së organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Në këtë tryezë, pjesëmarrës, përveç KQZ-së, ishte edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Micheal Davenport dhe përfaqësues të subjekteve politike, gra deputete që përfaqësojnë subjekte politike në Kuvendin e Kosovës, Agjencisë për Barazi Gjinore, PZAP-it, organizatave ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile dhe të medieve.
Në fillim të kësaj ngjarje, Zëdhënësi i KQZ-së njoftoi se me hyrjen në fuqi të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme “sistemi zgjedhor në vendin tonë ka pësuar disa ndryshime sa i përket votimit brenda dhe jashtë vendit”. Në këtë drejtim, sipas tij, “KQZ-ja është në proces e sipër të përgatitjes së akteve nënligjore, përmes së cilave do të rregullohen disa çështje specifike të parapara me ligjn e ri”.
Ndërkaq, në fjalën e tij, kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili kujtoi se gjatë procesit të reformës zgjedhore, KQZ-ja ka dhënë kontribut duke prezantuar rreth 50 rekomandime që përfshijnë aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.
Radoniqi foli edhe për përfaqësimin gjinor në trupat e menaxhimit të zgjedhjeve, siç janë Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe Këshillat e Vendvotimeve, të cilat sipas ligjit përbëhen nga përfaqësues të subjkteve politike.
“Kur flasim për përfaqësimin gjinor në trupat e menaxhimit të zgjedhjeve, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk është vetëm një temë që përfundon me krijimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve apo të Këshillave të Vendvotimit. Konsideroj se përfaqësimi i barabartë gjinor do të ndikonte drejtpërdrejtë në rritjen e pjesëmarrjes dhe përfshirjes së të gjithëve në procesin zgjedhor”, tha Radoniqi.
Sipas tij, nuk ka detyrime të veçanta përmes së cilave specifikohet përfaqësimi i barabartë gjinor në trupat e menaxhimit të zgjedhjeve dhe se nuk ka as ndonjë kuotë minimale që e rregullon këtë përfaqësim, siç është kuota 30% kur bëhet fjalë për kandidimin në Zgjedhjet për Kuvend të Kosovës dhe për Kuvende Komunale.
“Kur jemi te përfaqësimi gjinor në Trupat e Menaxhimit të Zgjedhjeve, siç janë Komisionet Komunale dhe Këshillat e Vendvotimeve, KQZ-ja nuk ka mundësi të detyrojë subjektet politike që të bëjnë nominimet e tyre për t’u përfaqësuar në këto dy lloj të trupave zgjedhore. Pra, nuk është nën auoritetin e KQZ-së që të përcaktojë përbërjen e KKZ-ve dhe të KVV-ve. Gjithashtu, nuk ka ndonjë nen në ligj që detyron subjektet politike që të kujdesen për barazinë gjinore kur bëjnë nominimet e anëtarëve të tyre. Sipas ligjit në fuqi, KQZ-së i mbetët që të vlerësojë përmbushjen e kritereve ligjore para se të marrë vendim për emërimin e anëtarëve në Komisione Komunale të Zgjedhjeve apo në Këshilla të Vendvotimeve”, tha më tej Radoniqi.
Duke folur për dokumentin e prezantuar në këtë tryezë për “Pjesëmarrja e barabartë gjinore në trupat menaxhuese të zgjedhjeve 2021”, Radoniqi tha se të dhënat tregojnë gendjen reale të përfaqësimit gjinor në këto trupa zgjedhore.
“Ajo që mund të themi është se përfaqësimi i grave në Këshillat e Vendvotimeve është më i mirë, në krahasim me Komisionet Komunale të Zgjedhjeve. Sa i përket përbërjes së Këshillave të Vendvotimeve, në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të muajit shkurt 2021 vetëm 30.51% e anëtarëve kanë qenë gra, ndërsa në Zgjedhjet Lokale të tetorit 2021 është shënuar një rritje e lehtë e përqindjes së grave pjesëmarrëse në këto këshilla, pra 30.96%. Pavarësisht kësaj ecurie në rritje të përqindjes së pjesëmarrjes së grave në Këshillat e Vendvotimeve, të dhënat e përgjithshme tregojnë se jemi larg arritjes së përfaqësimit të barabartë gjinor në këto trupa zgjedhore. Prandaj, duhet angazhim më i fuqishëm për të ndryshuar këto shifra”, tha ai.
DTV