Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarës për vrasjen e bashkëshortit në Francë

Më kërkesë të të akuzuarës Suzana Zogiani-Sekiraqa është mbyllur për publikun seanca e sotme, në rastin ku e njëjta po akuzohet se vrau në mënyrë mizore bashkëshortin e saj A.S., në Francë duke e goditur me sëpatë.

Mbylljen e seancës e ka mbështetur edhe mbrojtësja e të akuzuarës avokatja, Kosovare Kelmendi, me arsyetimin se ka të bëjë me mbrojtjen e interesave të fëmijëve dhe po ashtu me mbrojtjen e jetës personale dhe familjare së palës së dëmtuar dhe të akuzuarës”.

Një kërkesë e tillë është aprovuar nga gjykatësi Avni Syla, ndërsa seanca e mbyllur është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitareve.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 17 dhjetor 2019, Suzana Zogiani-Sekiraqën e kishte shpallur fajtore për vrasje të rëndë dhe të njëjtën e kishte dënuar me 25 vjet burgim,

Lidhur me këtë vendim, ankesë kishin parashtruar dy palët mirëpo më 3 korrik 2020, Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit i refuzoi si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe e vërtetoi aktgjykimin e Themelores, pasi që konsideroi se gjykata e shkallës së parë qasjen ndaj fakteve vendimtare e kishte të drejtë dhe të ligjshme.

Më 28 tetor 2020, e akuzuara përmes mbrojtësit të saj parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër dy aktgjykimeve të lartcekura, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe shkelje të Ligjit Penal.

Mirëpo, më 28 prill 2021, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesja e kërkesës. Andaj, e njëjta iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të anulohen aktgjykimet e gjykatave të rregullta, në mënyrë që të “krijohen kushte për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.

Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit të 7 gushtit 2023 ka vendosur të shpallë të pavlefshme aktgjykimet e gjykatës Themelore, asaj të Apelit dhe Gjykatës Supreme, duke e kthyer kështu rastin në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 shkurt 2019, Zogiani-Sekiraqa, akuzohet se më 21 nëntor 2018, rreth orës 08:30, në banesën e saj në Dole të Francës ku ishin duke jetuar se bashku me bashkëshortin e saj A.S, tani të ndjerin, me dashje e ka privuar atë nga jeta në mënyrë mizore.

Prokuroria pretendon se Zogiani këtë veprim e kishte kryer duke e goditur me mjet të mprehtë – sëpatë të paktën 11 herë në pjesë të ndryshme të qafës.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.