Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka bërë një përmbledhje të aktivitetit të tij prej ndërmjetësuesi në procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lajcak ka shkruar se në fillim të javës ka qëndruar në Beograd pas vizitës që kishte realizuar në Prishtinë. Diskutimet me presidentin serb Aleksander Vucic dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkvoic, thotë se ishin të fokusuar anë vazhdimin e përpjekjeve për të avancuar implementimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, shkruan Express.
Njejtë thotë se edhe diskutimet në Kosovë kanë qenë për çështjet me rëndësi në kuadër të dialogut, duke theksuar nevojën urgjente për zgjidhje në përgatitje të takimit të kryenegociatorëve.
“Në bisedat tona, unë theksova që implementimi i Marrëveshjes duhet të ketë progres nga të dy palët në përmbushjen e obligimeve të tyre respektive, hap pas hapi paralelsisht dhe bazuar në parimin që të dy palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”, ka shkruar Lajcak.
Emisari sllovak ka shkruar edhe për takimet që ka pasur me kryenegociatorët në Bruksel. Lajcak ka treguar se kanë diskutuar për një nuër çështjesh, përfshirë Statutin, planin e zbatimit, energjinë, tabelat, zgjedhjet dhe personat e zhdukur.
Ai ka thënë se është bërë përparim në disa çështje dhe se pret një vazhdim të shpejtë të negociatave duke treguar se ka plan që bisedimet t’i vazhdojë në ditët dhe javët në vijim.
“Takimet ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në axhendën tonë të Dialogut dhe pres një vazhdim të shpejtë së shpejti. Prandaj, kam në plan të vazhdoj bisedimet në ditët dhe javët në vijim”, ka paralajmëruar Lacjak.
Emisari i BE-së ka përmendur edhe takimin që ka pasur në Bruksel me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
“Të mërkurën pata një takim të dobishëm me liderin e partisë opozitare të Kosovës, PDK-së, Memli Krasniqi. Folëm për situatën në Kosovë dhe rëndësinë e progresit në Dialog për rrugën 🇪🇺 të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Miroslav Lajcak.