/

Stoltenberg: Ka arsye për brengosje, kemi përgjegjësi të ruajmë paqen në Ballkanin Perëndimor

Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, pas një takimi në Shkup me udhëheqësit e shteteve nga Ballkani që janë anëtarë të NATO-s, tha se NATO-ja ka përgjegjësi të ruajë paqen dhe stabilitetin në rajonit e Ballkanit Perëndimor.

Ai ka falënderuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski, për mbajtjen e një takimi të rëndësishëm me shtetet e Aleancës nga Shqipëria, Kroacia, Mali i zi e Maqedonia e Veriut.

“Ballkani Perëndimor është i një rëndësie strategjike për NATO-n – ne kemi një histori, prezencë dhe përgjegjësi për të ndihmuar në mbajtjen e paqes dhe stabilitetit”, ka shkruar Stoltenberg në X.

Stoltenberg tha se NATO-ja nuk sheh kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak në rajon, por është e vetëdijshme për një rritje të tensioneve në Kosovë, edhe për kërcënimet për ndarje në Bosnjë e Hercegovinë.

“Ky rajon është shumë i rëndësishëm për NATO-n dhe ka arsyeje për brengosje. Shohim kërcënime për ndarje në Bosnjë e Hercegovinë, gjendje të brishtë të sigurisë në Kosovë dhe ngecje të bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës. Shtete autoritare si Rusia po rrezikojnë integritetin demokratik me kërcënime kibernetike”, tha Stoltenberg në Shkup.

Takimi i Stoltenbergut me liderët e Ballkanit në Shkup vjen pas turit të tij në vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën, ku qëndroi të hënën dhe u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ai tha se gjatë takimeve në rajonin e Ballkanit e ka theksuar rëndësinë e zgjedhjes së dialogut dhe demokracisë para konfliktit dhe luftës.

“Kërkesat për ndarje e kërcënojnë paqen në Bosnjë, ndërsa dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është thelbësor në rrugën e tyre drejt paqes dhe prosperitetit. Propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë mund të jetë hap me rëndësi përpara. Është koha që të kapërcehen konfliktet rajonale”, nënvizoi shefi i aleancës ushtarake veri-atlantike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.