/

Ligji i ri për zgjedhjet, KQZ’ja do të zhvillojë takime me kryetarët e komunave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të fillojë vitin e ardhshëm, me një raund takimesh me kryetarë e të gjitha komunave të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online. Kjo iniciativë e KQZ-së vjen pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur se qëllimi i këtyre takimeve ndërlidhet me rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, por edhe për të diskutuar përgjegjësitë ligjore dhe zbatimin e tyre.

Arianit Elshani, nga PDK-ja tha se kryetarët do të raportojnë për punën e tyre.

Përderisa Sami Hamiti, nga LDK-ja theksoi se fundviti për komunat është shumë i ngarkuar, prandaj ky takim duhet të bartet në fillim të vitit.

Me 9 vota për u miratua që takimet të fillojnë nga 15 janari. Në çdo komunë, KQZ-ja ushtron funksionin në çdo komunë përmes Zyrtarit Ekzekutiv, i cili gjatë periudhës së zgjedhjeve bëhet Kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve që themelohet kryesisht nga përfaqësues të subjekteve politike të cilat kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale.

Sipas ligjit, komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetje të nevojshme KKZ-ve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionerëve dhe numëruesve, si dhe hapësira për adaptimin e qendrave komunale të numërimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.