Zhbllokohet ngërçi, votohen disa nga marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kishin mbetur në agjendë për muaj të tërë. Kjo është bërë e mundur me pjesëmarrjen edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në votim.

Me 83 vota për ka kaluar Marrëveshja e financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

Me 83 vota për është votuar edhe projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Me 83 vota për është votuar projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Me 84 vota për është votuar projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.

Me 83 vota për është votuar projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve. Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, nuk ka kaluar.

Për marrëveshjet e tjera që pritet të futen në votim, po diskutohet ende në Kuvend.

Diskutime ka pasur për Projektligjin për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se detyrohen të mos e mbështesim këtë marrëveshje. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se në momentin kur kanë kuptuar që nuk janë respektuar procedurat për marrëveshje ndërkombëtare kanë kërkuar respektimin e tyre dhe nuk kanë kapërcyer asnjë procedurë.

“Jemi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kosovës nuk i bëhet nder nëse nuk e votoni sepse dalim shtet joserioz. Na jepni mbështetje, por ju lutem për hir të Kosovës mos e refuzoni miratimin e marrëveshjes”, ka thënë ajo. Gashi ka thënë se nuk kanë pasur probleme ideologjike me këtë marrëveshje.

“Mënyra se si u zhvillua debati këtu se marrëveshja është bërë pa dijeninë e kryeministrit është e papranueshme. Na doli një terren tjetër, te ligjshmëria e marrëveshjes”, ka thënë ai. Haxhiu ka thënë se është e gatshme për hir të bashkëpunimit të mirë me Mbretërinë e Danimarkës të marrin kohë një javë, dy, një muaj, vetëm që sot të mos dështojë kjo marrëveshje.

“Secilës pyetje të anëtarëve të komisionit u jam përgjigjur. Jam e gatshme të përgjigjem për të gjitha shqetësimet që i kanë deputetët”, ka thënë ajo.

Kjo marrëveshje është shtyrë për një seancë tjetër, ndër deputetët kanë shkuar në pauzë deri në orën 15:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published.