Zyrtarë të lartë në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës kanë shprehur pakënaqësi ndaj menaxhmentit të këtij institucioni. Shkak për këtë, siç thonë ata, është bërë vendimi për largimin e tyre nga zyra ku kanë ushtruar veprimtarinë dhe keqpërdorimet që të njëjtit dyshojnë se janë bërë në kontratat për blerjen e disa pajisjeve. Ata potencojnë se pajisjet që gjenden në SHGJK, në vlerë rreth 3 milionë euro nuk përdoren.
Zyrtari i lartë për Gjeokimi në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, Epir Qerimi thotë se do ta denoncojnë menaxhmentin, në të cilin përfshihen ushtruesi i detyrës së drejtorit, Luan Morina, drejtori i departamentit, Ismet Shala dhe sinjalizuesen brenda SHGJK-së, Flutra Smakiqi.
Qerimi thotë se ka dy ditë prej kur i ka ardhur njoftimi nga u.d Luan Morina, që të largohet nga zyra e laboratorit për t’u zhvendosur te një zyrë tjetër te kolegu i tij. Këtë largim, Qerimi thotë se e kërkon me arsyetimin se pajisjet kanë rrezatim dhe punëtorët aty rrezikojnë jetën. Këtë veprim, ky i fundit e quan si hakmarrës.
Ai shtoi se lidhur e me këto pakënaqësi e ka njoftuar edhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin, derisa i ka kërkuar që të ndërhyjë në moslargimin e tij nga zyra, por i njëjti tash e dy ditë nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Në këtë letër drejtuar, Rizvanollit, ai kërkon që prokuroria të njoftohet lidhur me këtë situatë dhe të të parandalohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Qerimi potencon se nga 13 zyrtarë të lartë sa janë në SHGJK, 12 prej tyre kanë nënshkruar peticion për largimin nga puna të ushtruesit të detyrës së drejtorit, Luan Morinës.
“Një denoncim që do ta bëjmë për menaxhmentin e Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, konkretisht për drejtorin si ushtrues detyre, Luan Morina. Një drejtor departamenti Ismet Shala, si menaxher i një projekti për funksionalizimin e laboratorit të SHGJK-së dhe një sinjalizuese brenda SHGJK-së, Flutura Smakiqi e cila ka penguar sinjalizimin në Agjencinë Kundër Korrupsion. Problemet në SHGK kanë filluar që në ardhje të këtij personi, i cili së pari ka krijuar një sulm ndaj një drejtori departamenti, që ka qenë sulm fizik, që ka përfunduar në prokurori…Pastaj ka krijuar tensione me zyrtarët e tjerë dhe duke parë që është jashtëzakonisht i papërshtatshëm në kuptimin e menaxhimit, sjelljes me stafin, stafi i SHGJK-së, ka vendosur ta bëjë peticion për largimin e Luan Morinës, ku për herë të parë nga 13 zyrtarë profesional sa i ka SHGJK-ja, 12 zyrtarë e kanë nënshkruar peticionin dhe dy zyrtarë të nivelit drejtues, i është drejtuar ministres me datë 15 maj 2023 kjo shkresë”, thotë Qerimi.
Qerimi potecon se laboratori i SHGJK-së ka pajisje në vlerë rreth 3 milionë euro, të cilat ende nuk kanë nxjerrë ndonjë rezultat. Ai vuri dyshime edhe në vlerat me të cilat janë blerë disa pajisje, derisa ceku se dozimetri i cili bën matjen e rrezatimit është blerë mbi 40 mijë euro dhe i njëjti nuk funksionon.
“Laboratori i SHGJK-së, ka mbi 2-3 milionë (vlerë) pajisje që janë blerë në kohën e ish drejtorit…kjo është blerë në 2017, qe 6 vite ende s’ka nxjerrë asnjë rezultat. Kjo ramani është blerë në 213 qe 10 vite, nuk ka asnjë rezultat…Edhe gjysmë milionë euro janë blerë pajisje dhe elemente të tjera, shumica janë nëpër pako… 08:37 “Një kupshore me havan e cila në treg e kemi gjet çmimin referent e cila është 72 euro ka ardhur me 832 euro. Një parafilm që mundtë kushtojë 41 euro ka ardhur me 573 euro. Apo një ngjitëse për plastmatës në vlerë 33 euro që mund të kushtojë në treg ka ardhur në vlerë 767 euro, ndërsa palloma për fshirje të reagjentëve kimik kanë ardhur në vlerë 231 euro…Dozimetri që është për të matur rrezatimin, i cili është blerë në vlerë 40 mijë e 700 euro, një ekran… me katër dozimetra të vegjël ka ardhur me 40 mijë euro dhe dozimetri qëndron i varur në mur”, potencon Qerimi.
Ndër të tjera, zyrtari i lartë për Gjeokimi, Epir Qerimi foli edhe për rregulloren për organizim të brendshëm, për të cilin tha se e ka punuar Ismet Shala. Ai shton se Luan Morina, ka ndërhyrë në këtë rregullore para se të dërgohet te kryeministri, duke i kthyer pozitat profesionale nga një në dy. Sipas Qerimit, kjo është bërë me qëllim që mos të mund të konkurrojnë më për këto pozita.
Ndërkaq, zyrtari i lartë për vendburime minerale, Naser Bajraktari thotë se në këtë institucion emërohen personat sipas dëshirës dhe jo profesionit. Ai shton se auditimi i brendshëm i Ministrisë së Ekonomisë në raportin e vitit 2021, ka gjetur se në pozitën e drejtorit të Gjeologjisë Rajonale, është emëruar një jurist, ndërsa sipas tij, duhet të jetë gjeolog. Për këtë, Bajraktari thotë se ende nuk është marrë asnjë masë.
“Kemi disa shqetësime nga menaxhmenti i SHGJK-së që nga 2013 deri më sot, për fat të keq, këto nuk janë duke u përmirësuar por vetëm se janë duke u fundosur…Auditimi i brendshëm i Ministrisë së Ekonomisë…ka ardhur në përfundim me këto të gjetur, në pozitën e drejtorit të Gjeologjisë Regjionale është emëruar personi i cili është jurist dhe duhet të jetë gjeolog…Për pozitën e drejtorit të Departamentit të Gjeoinfromacionit është Ismet Shala, i cili po ashtu duhet të ketë pozitë gjeolog…Ndërsa në Muzeun e kristaleve dhe mineraleve në Trepçë, po ashtu kanë qenë dy jo profesionistë, njëra ka qenë e gjuhës dhe letërsisë turke, një para këtij ka qenë teknolog. Në këtë institucion emërohen njerëzit sipas dëshirës dhe jo profesionist”, thekson Bajraktari.
Ndërkaq, KosovaPress ka tentuar që të marrë edhe versionin e palës tjetër, por zyret kanë qenë të mbyllura.