Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq thekson tre synimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit të tij: që vendi të jetë një anëtar i besueshëm i NATO-s, të hyjë në BE dhe të kultivojë marrëdhënie të mira fqinjësore.
Milatoviq në një intervistë për DW thotë se do të ishte pozitive nëse BE-ja më në fund lëviz në drejtim të zgjerimit. Ai përkujtoi se anëtari i fundit në të është pranuar dhjetë vjet më parë (Kroacia në vitin 2013) dhe se ndërkohë janë bërë shumë hapa pozitivë në Ballkan.
Ai beson se “ritmi i reformave në një numër vendesh të tjera kandidate mund të jetë edhe më i shpejtë pas hyrjes së Malit të Zi në BE”.
Duke shprehur kënaqësinë e madhe për pritjen e liderëve ballkanikë në inaugurimin e tij, Milatoviq tha se është një foto simbolikisht shumë e fortë, sepse “Mali i Zi u tregua vend i tolerancës, paqes dhe prosperitetit”.
I vetëdijshëm për tensionin në Ballkan, presidenti i Malit të Zi shtoi se shpreson që fqinjët të arrijnë t’i zgjidhin problemet që i pengojnë në rrugën e tyre drejt BE-së, “siç është, për shembull, problemi ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Procesi i Berlinit është një nga gjërat më të mira që ka ndodhur në bashkëpunimin ekonomik rajonal në vitet e fundit, beson Milatoviq, dhe duke iu referuar nismës Ballkani i Hapur, ai shton se “të gjitha gjërat e tjera që mund të sjellin një imazh pozitiv në rajon dhe promovimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal – janë gjëra të mira”.
I pyetur se cila është shpresa e tij më e madhe kur bëhet fjalë për Evropën, Milatoviq tha: “Deri në fund të këtij viti, ne do të arrijmë një konsensus politik në parlament për emërimin e njerëzve të rinj në gjyqësor, njerëz me integritet, të cilët do të vazhdonin realisht luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar”.