Ministrat e Jashtëm të NATO-s, po diskutojnë tensionet në Ballkanin Perëndimor, mes thirrjeve për shtimin e pranisë ushtarake të aleancës për shkak të shqetësimeve se situata e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë mund të rrisë paqëndrueshmërinë në rajon.
Një përleshje e armatosur ndërmjet policisë së Kosovës dhe një grupi serbësh të armatosur në muajin shtator në veri, nxiti shqetësimin e vendeve perëndimore se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikt në Ballkan për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ritheksoi në prag të fillimit të takimit të ministrave të Jashtëm se aleanca do të shqyrtojë shtimin e pranisë afatgjatë në rajon.
“Të jeni të sigurt se NATO do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbështetur dhe siguruar qëndrueshmërinë në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për të gjithë Evropën dhe NATO-n”, tha sekretari Stoltenberg, i cili bashkë me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken vunë theksin te qëndrueshmëria në Ballkan.
Para udhëtimit të sekretarit Blinken për në Bruksel, Ndihmës sekretari amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, paralajmëroi Kosovën dhe Serbinë se “shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n”.
Situata në Ballkanin Perëndimor ishte pjesë e diskutimeve të shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me ministrat e NATO-s. Zoti Borrell tha se qëndrueshmëria, përparimi dhe harmonizimi i politikës së Jashtme të vendeve të rajonit me BE-në është me rëndësi thelbësore.
“Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s në veri të Kosovës. Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fuqishëm me KFOR-in dhe po përballen me kohë të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë qëndrueshmëri dhe të ofrojmë siguri në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha zoti Borrell në një konferencë për shtypin para takimit.
Misioni amerikan në NATO shkroi ndërkaq në rrjetin X të njohur deri vonë si Twitter se aleanca “po ndërmerr hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara në mënyrë të paanshme. Këshilli i Sigurimit i OKB-së u dha një mandat Forcave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 për një mision paqeruajtës të paanshëm. KFOR-i vazhdon të mbështesë zhvillimin e një Kosove gjithëpërfshirëse, demokratike dhe shumetnike”.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Bearbock, tha se në Ballkanin Perëndimor “paqja shpesh varet në fije të perit”, ndërsa paralajmëroi se Gjermania do të dërgojë vitin e ardhshëm 150 trupa shtesë, që do të shërbejnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
“U bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rrisin vullnetin për marrëveshje për të hapur rrugën e tyre evropiane”, theksoi ndërkaq shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke i kërkuar Prishtinës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradit njohjen de fakto të Kosovës.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha të martën se “themelimi i Asociacionit është i një rëndësie vendimtare për palën serbe… Në të njëjtën kohë, mendoj se edhe Kosovës i duhen disa gjëra – të cilat në radhë të parë pasqyrohen në nevojën që të njihet ndërkombëtarisht dhe përpjekjet e saj për normalizimin e situatës në kufirin me Serbinë”.
Duke nënvizuar se kjo nuk është një punë e lehtë, ambasadori Hill tha gjatë punimeve të Forumit Ekonomik të Beogradit se “duhet ta bëjmë të qartë për të dyja palët se çdo mënyrë tjetër që çështja të zgjidhet me armë ose ndonjë rrugë tjetër të dhunshme është tërësisht e papranueshme dhe të dyja palët duhet të jen të përqendruara në bisedimet e Brukselit”.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve serbe për Kosovën.
Të dyja vendet duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, i cili ndërmjetëson bisedimet mes tyre dhe i cili ka paralajmëruar se mungesa e përparimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, rrezikon rrugën e tyre drejt anëtarësimit./VOA