Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për rastin e vrasjes së Liridona Murselit, vrasje kjo e cila tronditi vendin më 29 dhjetor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. E ndjera është gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit. Familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe më pas shtënë me armë, duke lënë të vdekur Liridona Murselin, 33-vjeçare.
DTV mëson se një nga personat e arrestuar është Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, i cili dyshohet për përfshirje në këtë rast.
Siç bëri të ditur Policia e Kosovës, pas arrestimit të dy personave të dyshuar, janë duke vazhduar bastisjet në dy lokacione të qytetit të Gjakovës.
“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.