/

Motërzimi i një gruaje

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, artistja Ms. Indefinite organizoi ekspozitën personale të titulluar ‘Motrat tona’; ekspozita inspirohet nga ‘Motra Tone’, portret i një gruaje shqiptare nga artistit Kolë Idromeno, realizuar në 1883.

Unë/ Ti/ Ajo/ Vajzë,/ Grua./ Ne/ Ju/ Ato/ Motrat tona.

Sinopsis:

Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ekspozita “Motrat tona” shpërfaq një vepër feministe, konceptuale video arti, në të cilën motërzohet kryevepra e pikturës shqiptare “Motra Tone” e piktorit Kolë Idromeno. Ekspozita “Motrat tona” është një aktivizëm artistik, kundër dhunës ndaj gruas shqiptare, në të gjitha format e ushtrimit të saj. Ekspozita “Motrat tona” paraqitet përmes pesë video-instalimesh dhe dy instalacionesh pasqyruese, të shoqëruara nga një performancë ekzekutuese në ditën e hapjes.

Motra Tone’ është një portret me gjysmë-gjatësi i një gruaje shqiptare nga artistit Kolë Idromeno. Idromeno e ka pikturuar atë në vitin 1883. Fotografia është pjesë e Galerisë Kombëtare të Shqipërisë.

Inspiruar nga vepra artistike e njohur ndryshe si Mona Liza shqiptare, portreti i gruas me tipare shqiptare, artistja Ms. Indefinite organizoi ekspozitën personale të titulluar ‘Motrat tona’.

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, hapësira në të cilën mbizotëron ngjyra e kuqe, në katin e dytë, në dy dhomat e përbashkëta, artistja i solli para publikut, video-intalacionet, përformancën dhe poezinë, duke gërshetuar format e artit me qëllim dhënien e një mesazhi të qartë dhe të ndjeshëm njëkohësisht.

Në hapësirën e parë artistja në natën hapëse, përformoi para të pranishmeve duke i ofruar para publikut, pesë pasqyra të pikturuara nga ngjyra e kuqe me trëndafil të kuq. Duke bërë bashkë ngjyrën dhe trëndafilin figura këto që portretizojnë gruan, gjakun, dhunën dhe forcën njëkohësisht.

Kthimi në retrospektivë na dërgon përmes ekspozitës tek gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe na shtyn si trampolinë gjithashtu drejt aktualitetit të vrasjes së grave sot në vendin tonë.

Jo pa qëllim këndi ku gjendet këmbaleci i pikturës është një hapësirë tradicionale, me një qilim me motive kombëtare. Ideja e artistes është që të mund të rrëfej pjesën më të dhimbshme të dhunës dhe abuzimit të një gruaje shqiptare, vendin ku ajo e vuan këtë dhimbje. E ky vend është një hapësirë e ngushtë brenda mureve të shtëpisë, një dhomë.

Dhoma tjetër ngjitur, në Muze është e rrethuar me video-instalacione, ku paraqitet mesazhi i veprës artistike në forma të ndryshme. Këto video paraqesin, gruan të thyer, të fortë, të mërzitur, dhe gruan drejt fundit, drejt vdekjes.

Në veprën e Idromenos, gruaja mban stoli të shumta dhe njëra prej stolive është kryqi, në veprën e saj artistike Ms. Indefinite, shndërron kryqin në shenjen e gruas, duke e fuqizuar idenë e qëllimit të ekspozitës dhe duke tejkaluar bindjet fetare.

Ekspozita “Motrat tona” tenton t’i mbajë të hapur sensorët e ndërgjegjës kolektive ndaj dhunimit dhe vrasjes së grave në Kosovë. Duke i vendosur dy pasqyra të mëdha në murin përballë, gjatë ekspozitës, ne shohim veten, reflektimin tonë dhe ngacmimin e të brendshmes nëse jemi zëri i mjaftueshëm që thërret kundër vrasjes së grave.

Atmosfera që krijohet gjatë vizitës së ekspozitës, nuk mund të jetë atmosferë e lumtur sepse në çdo detaj të çdo krijimi artistik brenda këtyre dy dhomave, përçohet ndjesia e dhimbjes, zhurma e patriarkatit, forca e revoltës dhe herë herë edhe ndjesia e fajit kolektiv shoqëror.

E megjithatë pasqyrat e vendosura në dhomën e Muzeut të thata, janë pjesë e artit dhe të vërtetës njëkohësisht, fenomeni i tillë i një vendi kaq të vogël, inspiron edhe artistë të cilët tentojnë të revoltohen me artin e tyre, si në rastin e Ms. Indefinite.

Shtojce: Derisa në Kosovë u mbajt fushata ndërkombëtare “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ndodhi vrasja e një gruaje, Liridona Ademaj, në rrethana të jashtëzakonshme.

Të gjitha fotografitë në artikull janë përdorur me lejen e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.