Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.
Kosova ka zënë vendin e 73-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë.
Rezultatet e testit “PISA 2022” janë publikuar të martën, ndërsa u prezantuan nga Ministria e Arsimit në një konferencë për media.
Ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, tha se rezultatet kanë qenë rezultate të pritshme.
“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjellë sfida të tjera te mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, tha Nagavci në një konferencë për shtyp.
PISA është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.
Kosova merr pjesë në testin PISA që nga viti 2015.