Analisti, Arton Demhasaj, tha se Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sot do të duhej të jepte dorëheqje nga posti i saj, pas rezultateve të publikuara nga testi PISA, ku Kosova u rendit pothuajse e fundit në të gjitha kategoritë.
Madje sipas tij, do duhej të kishte një raport hulumtues gjithëpërfshirës për t’i identifikuar problemet që Kosova i ka në sistemin arsimor.
“Ministrja në vend që të dalë e të arsyetohet, ka qenë morale që sot të jepte dorëheqje fare. S’ka çka rrinë më në krye të Ministrisë së Arsimit, nëse një mekanizëm ndërkombëtar që e mat cilësinë e arsimit në krejt botën, ka dalë me rezultate të tilla. Pasi nuk është dorëheqja traditë në Kosovë, prandaj i kemi këto rezultate. Ministria e Arsimit dhe kjo Qeveri, nëse e kanë pasur pikë synim kryesor arsimin, me ardhjen në pushtet, menjëherë është dashur t’i marrin rezultatet e PISA-s që kanë qenë të një viti paraprak, e të shohin pastaj ku janë problemet dhe të fillojnë të merren me to. Pastaj, do të duhej një raport hulumtues gjithëpërfshirës për të identifikuar se cilat janë problemet që i ka Kosova në sistemin arsimor, në të gjitha kategoritë. E pastaj t’i ndërmarrin veprimet për përmirësime”, deklaroi Demhasaj.
Kosova sot ka pranuar rezultatet e testit ‘PISA’ për vitin 2022 ndërsa të dhënat tregojnë rënie të statistikave krahasuar me vitin 2018.
20 përqind e nxënësve kosovarë, sipas testit ‘PISA’ kanë arrit nivelin e kënaqshëm kurse të tjerët janë nën nivelin e kënaqshmërisë.