Valon Syla, gazetar, ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe mediat pas aktgjykimit dënues ndaj Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani me dy vite burgim efektiv secilit.
“Lajmi i fundit pra dy vjet për sulmust, fanatikët islamikë. Për këtë rast ma së pari e kisha falënderu Policinë e Kosovës që ka reagu shumë shpejt për identifikimin… falënderoj kolegtë e mi, Ilir Mirenën, Leonard Kerqukin dhe krejt mediat”, ka thënë Syla përmes një storie në ‘Facebook’.
Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësja Namani tha se tre të akuzuarit Lum Dërvishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani dënohen me nga dy vite burgim (secili veç e veç), pasi janë fajtorë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Të njëjtëve, në dënimin me burgim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak prej 14 prill deri më 7 dhjetor 2023.
Të akuzuarve iu ndalohet masa e arrestit shtëpiak. Ndërsa, refuzohet kërkesa pasurore-juridike e palës së dëmtuar, pasi që gjykata vlerëson se nga të dhënat e grumbulluara në procedurë penale, nuk ka prova të mjaftueshme për realizimin e kësaj të drejte.
Aktakuza ndaj Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ishte ngritur më 4 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me arsyetimin se më 11 prill 2023, rreth orës 23:00, të njëjtit, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin gazetarin Valon Syla, pasi që ky i fundit paraprakisht kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.
Prandaj, me këto veprime Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ngarkoheshin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme nga gjashtë muaj deri në tri vite burgim sipas cilësimit juridik të bërë në aktakuzë.