Zonja Armanda Begaj ishte sot në Bashkinë e Vaut të Dejës, nga ku bëri apel për depistimin e grave dhe vajzave për kancerin e gjirit. Përmes mamografisë lëvizëse, në Vaun e Dejës dhe 6 njësitë administrative të kësaj bashkie, gratë dhe vajzat kanë mundësi për kontroll falas për mamografinë e gjirit.
Kjo gjë u realizua me kujdesin e Presidentit të Republikës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Institutin e Shëndetit Publik pas kërkesës nga Bashkia e Vaut të Dejës për të ndihmuar gratë dhe vajzat në zona të largëta. Zonja Begaj falendëroi specialistin e mamografisë, infermierët, përfaqësuesit lokalë dhe aktivistet që u bënë pjesë e këtij aksioni.
Në tri ditët e para, vetëm në Bushat e kryen depistimin 40 gra dhe vajza, ndërsa mamografia do të shkojë përgjatë 10 ditëve në vazhdim në Vaun e Dejës, Vig-Mnellë, Hajmel dhe Temal.
Gjatë qëndrimit në Vaun e Dejës, zonja Begaj mori pjesë edhe në panairin e Krishtlindjeve të “Caritas Doqezan Sapa”, një aktivitet bamirës për fëmijët me aftësi ndryshe. Ajo bisedoi me nënat e tyre, misionarët fetarë dhe vullnetarët e kësaj qendre, të cilët i falëndëroi për vullnetarizmin dhe bashkëpunimin në këtë mision.
Nismës për bamirësi iu bashkua i gjithë komuniteti i zonës. Banorët blenë punimet e veçanta të kryera nga fëmijët me aftësi ndryshe për t’i ndihmuar ata dhe për të zbukuar shtëpitë për festat e Krishtlindjeve.