Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka quajtur dezinformatë raportin e Institutit GAP, ku kritikohet pushteti se ka ndarë më shumë mjete për komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në konferencë për medie tha se komunat kurrë më shumë s’kanë pasur buxhet sesa në mandatin e tyre.
Murati nënvizoi se në raportin e Institutit GAP bëhet fjalë vetëm për 13 milionë nga 860 milionë euro investime kapitale.
“Kjo është e pavërtetë. Nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformomi i qytetarëve mund të themi që ia kanë arrit të dezinformojnë qytetarin, pasi kemi qytetarë të dezinformuar nga ai raport. Si bëhet ndarja buxhetore tani? Buxheti është i dedikuar për komunat siç i kemi prezantuar në grafikona, mund të shoh se për komunat janë 745 milionë euro buxhet i ndarë.
Kjo ndarje përcaktohet në bazë të formulës për kokë banori, për numër të nxënësve por edhe për persona mbi moshën 65 vjeç. Pra janë 745 milionë euro nga të cilat 645 milionë euro janë grant qeveritar dhe vetëm 100 milionë euro janë të hyra vetanake të komunave… Është e pavërtetë se ka dallim apo favorizim të komunave.
Ajo çka është prezantuar në atë raport dhe po tentohet të pasqyrohet edhe nga opozita bëhet fjalë për 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Investimet janë 860 milionë euro, ndërsa raporti që pasqyron në atë tabelë është vetëm 1.5 për qind e buxhetit. Pra 98 për qind të buxhetit nuk e trajton ai raport, i cili ndahet në baza të barabarta dhe të drejta”, tha ai,
DTV