Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim nga trupi gjykues i Apelit në Gjykatën Speciale, 4 vjet më pak nga dënimi i shkallës së parë.
“Paneli i Apelit gjykon se një dënim i njësuar me 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të z. Mustafa në këtë çështje”, tha kryetarja e trupit gjykues.
Apeli i ka rrëzuar pothuajse të gjitha kundërshtimet e Mustafës ndaj vendimit të shkallës së parë.
Kryetarja e trupit gjykues tha se Mustafa në disa prej pikave të apelit të tij “nuk arriti t’i mbështeste argumentet e tij me jurisprudencën përkatëse”.
Duke folur fillimisht për “mangësi” në apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë nga ana e Mustafës, kryegjykatësja tha se “në raste të tjera paneli i Apelit disa argumente i ka rrëzuar pa e shqyrtuar thelbin e tyre”.
Trupi gjykues i Apelit disa prej kundërshtimeve të Salih Mustafës i hodhi poshtë me arsyetimin se ato “nuk i ka ngritur në gjykim”.
Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë, në aktgjykimin e shkallës së parë të gjykatës më 16 dhjetor 2022.
DTV