​Zgjedhjet në Serbi, Bislimi: Projekti serb për heshtjen e zërit shqip, duhet të përballet me mosnënshtrim

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka kërkuar nga emisari special evropian për dialogun Miroslav Lajçak që BE-ja të ndërhyjë në pikën kufitare në Mutivodë në rast të pengesave administrative në kufi nga pala serbe, në ditën kur votuesit nga Kosova do të shkojnë për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se të dielën e 17 dhjetorit, bashkatdhetarët tanë në Luginën e Preshevës, kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë neve dhe se projekti serb për heshtjen e zërit shqip, duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim.

Ai ka përkujtuar se institucionet qendrore e lokale serbe, i kanë targetuar për diskriminim e shtypje shqiptarët në drejtësi e gjyqësor, arsim, shëndetësi e kulturë, qasje në punësim e ndërmarrje publike, teksa pasivizimi i adresave është përpjekje e vazhdueshme për spastrim etnik administrativ e institucional.

“Zërat e fuqishëm duhet t’i dalin ballë Luginës. Zëri i fuqishëm në parlament, ai i Shaip Kamberit me numër 13, por sidomos dhe ai në nivel lokal, veçanërisht në Medvegjë me numër 2. Zgjedhjet lokale atje, po përballen me shumë shkelje. Si pasojë e pasivizimit, shumë votues shqiptarë nuk gjenden në regjistrat e votuesve duke ia mohuar të drejtën e votës”, ka shkruar Bislimi.

Ai e ka quajtur shqetësuese që për zgjedhjet lokale në Medvegjë, votuesit nga Kosova që duan të shprehin vullnetin e tyre të lirë, mund të përballen me rrezikun potencial të pengesave administrative në kufi.

“Kam njoftuar në lidhje me këtë situatë dhe emisarin Lajçak, ku kërkova gatishmërinë e BE-së që të ndërhyjë në pikën kufitare në Mutivodë në rast të paraqitjes së shkeljeve të tilla”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka theksuar se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit duhet të mbrojnë dhe avancojnë të drejtat e liritë e tyre, dhe se vota e 17 dhjetorit, është votë për rezistencë kundër autoritarizmit dhe shtypjes nga Beogradi zyrtar.

“Në këtë betejë politike, secila votë është e vlefshme. Ajo duhet të dëshmohet të dielën e 17 dhjetorit, me vendosmëri e guxim”, ka përfunduar Bislimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.