Kryesia e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e saj të parë pas zgjedhjeve të brendshme, diskutoi për planin e punës, planin organizativ të partisë, si dhe për çështjet politike kryesore të vendit, ka njoftuar zyra për media e LDK-së.
Në lidhje me procesin e dialogut, Kryesia vlerëson se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues.
“Ky dokument, që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së, krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi”, thuhet në njoftim
Lidhja Demokratike e Kosovës ka theksuar se nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit tonë, si dhe jashtë rregullimit territorial të tij.
“LDK-ja vlerëson se roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i domosdoshëm dhe vendimtar dhe pret që kjo gjykatë të veprojë në përputhshmëri me normën kushtetuese, kurdo që ta trajtojë këtë dokument”.
“LDK-ja konsideron se ky dokument është pasojë e politikave të gabuara të kryeministrit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera drejtuese të vendit, si dhe e moskoordinimit me aleatët tanë në fazat më kritike për vendin”.
“LDK-ja beson fort se koordinimi me kohë i veprimeve me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, është jetik për funksionimin dhe të ardhmen e vendit tonë.LDK-ja vazhdon t’i mbetet besnike idesë fillestare se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim i yni dhe se ky obligim ndërkombëtar duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të Kosovës”, përmbyllet komunikata. /