Hekuran Murati, ministër i Financave dhe Transferve, ka mohuar raportimet se Qeveria e Kosovës ka përjashtuar kategoritë e dala nga lufta nga subvencionimi i energjisë elektrike.
Në një reagim në Facebook, Murati ka thënë se me programin e ri synojnë zgjerimin e listës së familjeve që do të mbështeten në bazë të ardhurave.
“Është e pavërtetë që Qeveria ka përjashtuar ndonjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike. Përkundrazi, me programin e ri synimi është që të zgjerohet lista e familjeve që mbështeten, si dhe subvencionimi të jetë në bazë të të ardhurave, pra sa më pak të ardhura, aq më i lartë subvencionimi. Programi i ri është në fazën e pilotimit, dhe kemi paraparë edhe një fazë/grup aplikimesh ku pritet të trajtohen sfidat që kemi hasur gjatë fazës/grupit të parë”, ka shkruar Murati, i cili ka publikuar edhe dokumentin e vendimit.