Kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores “Termokos”, Fisnik Osmani ka njoftuar se ka punësuar në këtë ndërmarrje, një person i cili është pjesë e Shoqatës së të Shurdhërve në Prishtinë.
“Termokos, kujdeset të ofrojë mundësi të barabarta, sepse të tillë jemi para ligjit dhe para Zotit! Avniu, prej sot është kolegu ynë më i ri në ngrohtore! Avniu është 35 vjeçar dhe nga viti 1999 është pjesë e Shoqatës së të Shurdhërve në Prishtinë”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Osmani, ka shkruar se Avniu prej sot do të jetë pjesë e Departamentit të Administratës ku do të kujdeset për mirëmbajtjen e oborrit dhe kopshtit tonë.
“Avniu, si pjesë e ekipit tonë në Departamentin e Administratës do të kujdeset për mirëmbajtjen e oborrit dhe kopshtit tonë! Së bashku me Mentor Maliqi e mirëpritëm në ambientet tona, duke i uruar punë të mbarë dhe shëndet! Le të japim shembull! Le të fillojmë nga vetja”, ka shkruar ai.