Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se nuk e ka dëgjuar diskutimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, ku në në një moment ata patën një përplasje teksa ky po fliste.
Ata duket se nuk pajtohen me njëri-tjetrin lidhur me një çështje në ligjin për zgjedhjet parlamentare. Qelaj tha në një konferencë për media se s’është shumë me rëndësi se për çfarë kanë folur krerët e shtetit në atë moment të enjten e javës së kaluar
“Të them të drejtën, unë nuk kam arritë me i dëgju çfarë kanë bisedu dhe për Avokatin e Popullit është pak e rëndësishme ajo çfarë diskutojnë të tjerët, e rëndësishme është ajo çfarë unë krijoj si bindje dhe kur konstatoj që një e drejtë ose një çështje duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të përpuethshmërisë së saj me Kushtetutën, unë besoj se kjo do të ndodhë”, tha ai.
Qelaj tha se në kontekstin e diskutimit për barazinë gjinore, ai kishte paralajmëruar dërgimin e ligjit për zgjedhjet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim, pasi beson se kuota 30% e përfaqësimit të grave në lista zgjedhore nuk është në rregull.
“Ka qenë në kontekstin e një diskutimi shumë kontstruktiv lidhur me avancimin e pozitës së gruas, sepse njëra prej temave, ose tema kryesore e atij debati ka qenë barazia gjinore. Dhe në këtë kontekst është përmendur edhe ligji për zgjedhjet dhe unë i kam njoftu të gjithë të pranishmit në mënyrë publike se ne jemi duke e shqyrtu, duke e vlerësu mundësinë e nënshshtrimit të vlerësimit të kushtetuetshmërisë të këtij ligji në raport me listat zgjedhore të subjekteve politike, ngase logjikisht dhe në aspektin praktik, Avokati i Popullit konsideron që është e domosdoshme. Pra, ju e dini, ligji për zgjedhjet ka kalu pa ndonjë diskutim publik që kish me i shterë të gjitha diskutimet lidhur me temat që mund të jenë kontestuese. Në anën tjetër, ka pasë një konsensus politik sepse është marrë numri i mjaftueshëm i votave për me kalu si ligj dhe ligji ka kalu pa e përfshi një prej aspekteve të rëndësishme që e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligji për barazi gjinore. Dhe unë i referohem kryesisht asaj çka thotë Kushtetuta”, tha Qelaj.
Kjo çështje në këtë ligj, Avokati i Popullit tha se është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Dhe në rast kur kemi një kuotë 30 e nuk kemi barazi 50-50, për mua është në kundërshtim me këtë parim kushtetues”, tha ai.
“Përderisa struktura demografike e popullatës së Republikës së Kosovës është e përbërë me 50% gra, atëherë edhe listat zgjedhore të subjekteve politike duhet të jenë me kuotën 50% gra. Nuk duhet me keqkuptu, kjo kuotë nuk ka të bëjë me numrin e deputeteve në Kuvend”, shtoi Qelaj.
Ai tregoi se të premtën i kanë dërguar një letër presidentes, ndërsa tha se i kanë dhënë mundësi edhe Qeverisë dhe Kuvendit që ta korrigjojnë këtë ligj para afatit të përcaktuar për dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.
“Pavarësisht kësaj, ne i kemi dhënë mundësi Qeverisë dhe Kuvendit që deri në afatin për ushtrimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese të bëhet amandamentimi i ligjit, gjë që neve jo vetëm që kish me na e heqë nga lista një punë, por edhe kish me qenë vërtetë akt i një vullneti të mirë politik i cili do të përkrahej nga ana ime dhe do të ishte shumë inkurajuese”, tha Avokati i Popullit.
DTV