Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka bërë të ditur se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zgjedhjet.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se Avokati i Popullit para se të merret me këtë ligj, ka sipas tij, një mijë raste tjera ku mund ta kryejë detyrën dhe përgjejgësinë e tij.
Tahiri ka thënë se Qelaj sot do të duhej të merrte veprime emergjente për fillimin e hetimeve ndaj abuzimit me faturat e energjisë elektrike.
“Avokati i Popullit Naim Qelaj, para se të merret me këtë ligj, ka një mijë e një raste të tjera ku mund të kryej detyrën dhe përgjegjësinë e tij për të mbrojtur qytetarët nga shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore.
Ai, pikërisht sot do të duhej që të merrte veprime emergjente për fillimin e hetimeve ndaj abuzimit me faturat e energjisë elektrike dhe madje të zbardhte edhe fakte mbi trajtimin diskriminues të qytetarëve në pagesat e kësaj energjie.
Pikërisht sot më shumë se kurrë do të duhej të ishte zëri kumbues kundër vjedhjes dhe diskriminimit të qytetarëve në faturat e energjisë nga qeveria e dhe mafia energjetike”, shkroi ai.
Shefi i deputetëve të PDK-së tha se reforma zgjedhore e arritur përmes Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme përbën rastin e vetëm për të cilin Republika e Kosovës është vlerësuar dhe lavdëruar në vitin 2023.
Sipas Tahirit, ky proces, me plotë meritë është vlerësuar në Raportin e Progresit dhe në Konkluzionet e Bashkimit Evropian, ku edhe është kërkuar miratimi i shpejtë i akteve nënligjore në mënyrë që ti hapet rruga mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare mbi bazën e kësaj reforme.