KFOR-i trefishon patrullimet, katërfishon praninë në veri

Gjithçka është gati për patrullimin e radhës.

Janë këta ushtarët amerikanë, që do të patrullojnë në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

E këto patrullime, sipas KFOR-it, janë trefishuar në muajt e fundit.

Në një përgjigje nga KFOR kanë thënë se kjo erdhi pas ngjarjeve të fundit në Veriun e Kosovës.

“Pas rritjeve të tensioneve në muajt e fundit, NATO ka dislokuar 1 mijë trupa shtesë. Ne e kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veriun e Kosovës dhe e kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë linjën administrative të kufirit. Fuqia e misionit tonë aktualisht përbehet prej rreth 5 mijë trupash, me kontribut nga 27 vende aleate dhe partnerë të NATO-s. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misionit i KFOR-it të vazhdojë ta përmbushë mandatin e tij, duke u bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të bashkuara të vitit 1999”, ka thënë nga KFOR-i.

Ndërkohë së fundmi, kryeministri, Albin Kurti, ka paralajmëruar sulme të reja të mundshme në veriun e Kosovës.

Shefi i ekzekutivit tha se anëtarët e grupit terrorist serb, po paguhen me nga 2 mijë euro në muaj.

Por, këto paralajmërime të Kurtit, nuk i kanë komentuar nga KFOR.

“Ne nuk do të spekulojmë për ndonjë skenar të ardhshëm. Në përgjithësi, situate është e qetë, por mbetet e brishtë. Jemi në kontakt të ngushtë me institucionet në Kosovë dhe organizatat e sigurisë së Kosovës, si dhe palët e tjera, duke përfshirë misionin e BE-së për sundimin e EULEX-it, shefin e shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, OSBE-në dhe OKB-në. Ne po monitorojmë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm në aspektin e sigurisë në atë rajon dhe jemi gati t’i përgjigjemi çdo sfide”, thuhet tutje.

Tutje në përgjigje, thuhet se NATO është fuqimisht e përkushtuar për sigurinë në Kosovë dhe KFOR-i do të qëndrojë për aq kohë sa është e nevojshme.

Ndërsa ndryshimi i numrave në personel, do të bazohet në vlerësimin e kushteve në terren.

Leave a Reply

Your email address will not be published.