Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reagauar dhe e ka dënuar sjelljen e papranueshme të mbrojtjes së afërt të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ndaj gazetares së TV Klan, Blerta Dalloshi Berisha.
“Në videon e publikuar nga kolegia, Dalloshi – Berisha, shihet një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt duke kapur dhe shtyrë nga dora gazetaren, teksa ajo përpiqet ta bëjë një pyetje për kryeministrin”, thuhet në reagim.
AGK thotë se maltretimi në formë të tillë i gazetarëve është i papranueshëm, dhe ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial në Kosovë.
AGK-ja ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të hetojë sjelljen e personit në fjalë, dhe gjithashtu nga Kryeministri që të dënojë këtë sjellje dhe të mundësojë që gazetarët të bëjnë pyetjet në interes të publikut.