Qeveria e Serbisë është deklaruar të hënën se nga një janari i 2024-tës do të lejojë lëvizjen e makinave me targa RKS nëpër territorin e saj.
BE-ja e ka mirëpritur vendimin e Serbisë dhe tash pret nga Kosova të bëjë një hap.
Kështu ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Ky vendim paraqet një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit, si dhe detyrimet e mëparshme nga dialogu lidhur me Lirinë e Lëvizjes. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, tha Stano.
Ish-kryenegociatori Arifi për vendimin për targa: Serbia po e heq imazhin e mosimplementuesit të marrëveshjes
Ish-kryenegociatori për dialog, Avni Arifi ka folur lidhur me çështjen e targave.
Ai tha se BE ka të drejtë që kërkon lëvizje nga Kosova pasi Serbia e ka implementuar marrëveshjen.
Arifi thotë se pala serbe do të shihet nga Brukseli që ka marr iniciativë konstruktive lidhur me targat.
“E kuptueshme se kur njëra palë tregon vullnet të mirë dhe implementon marrëveshje, Brukseli kërkon nga pala tjetër të njëjtën. Megjithatë pa marrë parasysh motivet (që nuk besoj se burojnë nga ndonjë konstruktivitet i palës Serbe) pala Serbe do të shihet nga Brukseli që ka marrë iniciativë konstruktive në këtë proces”, ka thënë Arifi.
Ish-kryenegociatori Arifi tha se ndryshe nga Kosova që është fokusuar në çështje simbolike, Serbia ka pasur tjetër synim.
“Kosova në 3 vitet e fundit në procesin e bisedimeve është fokusuar në çështje simbolike në atë masë sa që çështja e stikersave dhe tabelave të veturave u shndërruan në temë sigurie në qarqet kryesore që merren me tema të sigurisë evropiane. Serbia nuk e kishte at fokus. Ata kishin tema jo simbolike por substanciale pra Asociacionin e Kishën Serbe”, theksoi Arifi
Arifi thotë se me vendimin e palës serbe për targat këta të fundit po e heqin imazhin se janë mosimplementues të marrëveshjeve që burojnë nga Brukseli.
“Me këto veprime simbolike Serbia po e heq imazhin e mosimplementuesit të marrëveshjes dhe për këtë në Bruksel e Washington do të ketë mirëkuptim të plotë në kërkesën e saj për implementimi rapid të Asociacionit”, u shpreh ai.
Ai tha se Vetëvendosja e vlerësojë lartë implementimin e marrëveshjes së Brukselit nga Serbia.
“Pika e parë e marrëveshjes së Brukselit është për tabela e stikersa, diploma dhe pasaporta e për të cilat implementimi nga ana e Serbisë nuk paraqet asgjë për të por një plus të madh të Bruksel dhe të LVV e cila e vlerësoj lartë implementimin e marrëveshjes së Brukselit nga ana e Serbisë”, u shpreh ai
Ai ka folur edhe për epilogun e Asociacionit.
Sipas Arifit, partia në pushtet së shpejti do ta dërgojë vendin në zgjedhje.
Ai thotë se kjo do të ndodh pasi verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin.
“Në atë çfarë reflektojnë zyrtaret e VV-së shanset janë reale që pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e statuti të Asociacionit, VV do ta dërgoj vendin në zgjedhje”, thotë Arifi
Partitë opozitare në vend kanë kërkuar që dokumenti i Asociacionit të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
Draft-statuti i hartuar nga diplomacia perëndimore iu dorëzua Qeverisë së Kosovës, ashtu si edhe asaj të Serbisë, në fund të tetorit-2023.
DTV