Shala për faturat e rrymës: Të bëhet një auditim gjeneral urgjent, por edhe hetim

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se duhet të ketë hetim lidhur me këtë çështje, por se së pari duhet të bëhet një auditim gjeneral, i shpejtë dhe urgjent.

“A duhet të ketë hetim, definitivisht duhet të ketë paraprakisht një auditim gjeneral, të shpejtë, urgjent për të parë se çka po ndodhë më këto fatura sepse baza e dyshimit ekziston tashmë më edhe mediat edhe qytetarët janë ankuar shumë dhe duhet të verifikohen dyshimet të cilat po i ngrisin qytetarët në baza të rregullta ditore”, është shprehur ai.

Ai thotë se tani për tani nuk e din se cila është faza më e mirë, por se ndërhyrje duhet të ketë.

“Aktualisht nuk mund të them se cila është faza më e mirë por se duhet të ketë një ndërhyrje të rregullatorit për të verifikuar dhe audituar këtë proces definitivisht po”, ka shtuar Shala.

Pas ankesave të qytetarëve KESCO gjatë së mërkurës ka dalë me një reagim duke thënë se deri më tani 400 mijë konsumatorëve deri me tani u janë lexuar njehsorët, dhe se 86% prej tyre kanë pranuar fatura nën 100€.

“Pra, nga numri total i leximeve, del që vetëm 14% e konsumatorëve kanë fatura 100€ ose më tepër”, thuhet në njoftim. Ato fatura që janë në shpenzim më të madh, bëhet fjalë për dy shërbime në një, pra për furnizim me energji elektrike dhe për ngrohje”, thuhet në reagimin e KESCO-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published.