Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, ka thënë se ka përfunduar veprimtaria policore e zhvilluar në veri gjatë mesditës të së premtes, pas gjetjes së rreth 700 fishekëve dhe 34 gëzhoja në Banjskë të Zveçanit gjatë ditës së djeshme.
“Nuk mund të themi se ka qenë ndonjë aksion policor, por ka qenë në fakt një veprimtari e Policisë, e cila është normale. Gjatë ditës së djeshme kemi gjetur një flamur të Serbisë, rreth 700 fishekë të kalibrit 762. Konsiderojmë se ka mundësi se janë nga rasti i Banjskës së Zveçanit. Kemi hasur edhe 34 gëzhoja në atë vend. Është afër vendit, rreth 50-60 metra ku është vrarë Afrimi ynë. E kemi krehur komplet atë zonë. Nuk është që kemi gjetur diçka, veçse një kapelë dhe një gëzhojë”, ka thënë Elshani.
Tutje, Elshani ka deklaruar se gjatë veprimtarisë së ditës së sotme të Policisë së Kosovës dhe njësive siç janë ajo Speciale, Njësia Kundër Minave dhe Mjeteve shpërthyese dhe ajo e K9 siç njihet me qen, kanë gjetur vetëm një kapelë dhe një gëzhojë, e cila dyshohet të jetë nga sulmi terrorist në Banjskë me 24 shtator.
“Nuk kemi gjetur diçka, veçse një kapelë dhe një gëzhojë. Kjo veprimtari policore ka përfunduar. Ndërsa ka pasur njësi të ndryshme të policisë, si Njësia Speciale, Njësia kundër minave dhe mjeteve shpërthyese si dhe Njësinë e K9 me qen”, ka thënë Elshani.