Sulmuesi kosovar Arbër Hoxha është shumë afër kalimit në elitën e kampionatit kroat tek gjiganti Dinamo Zagreb.
Lajmin për kalimin e Hoxhës në Kroaci e kanë bërë të ditur disa mediume të ndryshme kroate, të cilat thonë se transferimi i tij tek Dinamo tashmë veçse është punë e kryer.
Sipas mediumit kroat, marrëveshja mes Dinamo Zagrebit dhe Slaven Belupos aty ku po luan aktualisht Hoxha është arritur dhe se zyrtarizimi pritet të bëhet nesër (e martë).
Mësohet se Slaven Belupo ka kërkuar rreth dy milionë euro për të liruar 25-vjeçarin dhe se tashmë klubet po diskutojnë detajet e fundit.
Në rast se nuk ka ndonjë ndryshim në momentet e fundit, Hoxha pritet që t’i bashkohet ekipit të ri në përgatitje ditën e mërkurë.
Këtë sezon Hoxha numëron 18 paraqitje me Slaven Belupon, ku ka shënuar katër gola dhe ka bërë tri asistime.
Ai ka tri paraqitje me Kosovën ku ka shënuar një gol dhe debutimin e ka bërë në janar të vitit 2020.