Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se sipas raportit preliminar të shpenzimit të buxhetit, në vitin 2023 shpenzimet janë rritur për 13 për qind më shumë, krahasuar me vitin 2022.
Murati tha se kategoria që është rritur më së shumti në vitin 2023 është ajo e investimeve kapitale më 32 për qind më shumë sesa në vitin 2022.
“Kategoria Paga dhe Shtesa është e dyta me kontributin më të madh në rritjen e buxhetit, me 114 milionë euro më shumë, apo 17% më shumë sesa viti 2022. Kjo tregon se në sektorin publik ka pasur rritje mesatare të pagave që ka tejkaluar shkallën mesatare të inflacionit prej 11.6% të vitit 2022”.
“Mallrat dhe Shërbimet gjithashtu me 17% kanë trendin e njëjtë të rritjes, mirëpo si vlerë absolute rritja është përgjysmë më pak sesa kategoria Paga dhe Shtesa”, shkroi Murati.
Më tej, ai tha se kategoria me më së paku rritje në vitin 2023, krahasuar me vitin 2022 ishte ajo e subvencioneve dhe transfereve, me vetëm 1 për qind.