Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka vlerësuar sot se situata në Kosovë është përgjithësisht e qetë, por ende e ndjeshme.
Ai në një intervistë për Tanjugun e Serbisë ka thënë se NATO-ja, pas rritjes së tensioneve në muajt e fundit, ka dislokuar qindra ushtarë shtesë, më saktësisht ka katërfishuar praninë e KFOR-it në Veri të Kosovës dhe ka trefishuar numrin e patrullave, ndër të tjera në kufirin me Serbinë.
“Misioni ynë aktualisht numëron rreth 5000 personel nga 28 vende anëtare dhe partnerë të NATO-s. Qëllimi i këtyre hapave të kujdesshëm është të sigurojnë që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga viti 1999, e i cili është të sigurojë një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë”, citohet të ketë thënë Ulutash.
“Si i treti në zinxhirin e reagimit, do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) si të parët dhe të dytët në zinxhirin e reagimit. Do ta përsëris atë që tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij të fundit në Ballkanin Perëndimor në nëntor: “Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës. NATO mbështet fuqishëm dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e BE-së dhe të dyja palët duhet të veprojnë me mirëbesim”, tha Ulutaşh.
I pyetur se si i komenton pretendimet e Kosovës se Serbia po përgatit një sulm në Veri të Kosovës, të cilat Beogradi i hodhi poshtë si të pasakta dhe të pabaza, komandanti i KFOR-it u shpreh se nuk dëshiron të spekulojë për asnjë skenar dhe se KFOR-i po monitoron me kujdes të gjitha zhvillimet relevante të sigurisë në rajon.
“Ne jemi në kontakt të ngushtë me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Serbe, institucionet në Kosovë dhe organizatat e sigurisë së Kosovës, si dhe organizata të tjera, duke përfshirë EULEX-in, OSBE-në dhe UNMIK-un”, shtoi ai.
Duke komentuar deklaratën e përfaqësuesve të Kosovës se Forcat e Sigurisë së Kosovës, nëse është e nevojshme, shkojnë në Veri të vendit, Ultash thekson se Stoltenbergu ishte shumë i qartë për këtë çështje gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë kur theksoi se “çdo vendosje e FSK-së në Veri kërkon pëlqimin e KFOR-it”.
Tutje kreu i KFOR-it shtoi se do të vazhdojnë të mbështesin dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nën patronazhin e BE-së duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme për diplomacinë. Sipas tij, kjo është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Duke folur për njoftimin e Shqipërisë dhe Gjermanisë për dërgimin e forcave shtesë në KFOR, Ulutaş u shpreh se NATO është e vendosur fort për sigurinë në Kosovë dhe se KFOR-i do të qëndrojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.