Katër organizata joqeveritare kanë kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe nga Agjencia për Privatësi dhe Informacion që të bëjnë publike informacionet që lidhen me Fondin e Sigurisë.
Iniciativa për Progres (INPO), Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), përmes një reagimi të përbashkët, thanë se në këtë rast ka të bëjë me fonde vullnetare të qytetarëve, të cilat më pas dedikohen vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes.
Informacionet për Fondin e Sigurisë janë konfidenciale, në bazë të një vendimi të tashmë ish-drejtorit të Thesarit, Ahmet Ismajli. Në vendimin e tij ishte thënë se këto donacione janë të dedikuara vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe “hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë”.
Por, organizatat joqeveritare thanë se klasifikimi i këtyre të dhënave është bërë me Ligjin tashmë të shfuqizuar për klasifikimin dhe verifikimin e sigurisë.
Katër organizatat e shoqërisë civile, thanë se donacionet në Fondin e Sigurisë bëhen në mënyrë vullnetare dhe prandaj paratë e mbledhura “konsiderohen para publike [Neni 2 i Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë]”.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës [neni 120.1.] ka përcaktuar se ‘shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës”. Ndërsa, Ligji Nr.06/L-081 për qasje në dokumente publike [neni 17.3.3.1] ka përcaktuar se ‘Qasja në dokumente publike gjithnjë lejohet, nëse: 3.1. dokumenti publik i kërkuar ka të bëjnë me shpenzimet e parasë publike’”, u tha në reagim.
Mosbërja publike e këtyre të dhënave, sipas shoqërisë civile është dëshmi “e fortë e mungesës së transparencës së Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje”.
“Ne ftojmë Agjencinë për Informim dhe Privatësi që brenda mandatit që ka, ta mbrojë ligjshmërinë dhe të drejtën e qytetarëve për qasje në të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke dëshmuar përmes këtij rasti pavarësinë institucionale dhe politike”, u tha në reagim.
OJQ-të paralajmëruan se do të iniciojnë procedura gjyqësore nëse Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk nxjerr një vendim, siç thanë, meritor për këtë rast.
Në korrikun e vitit të kaluar, Ministria e Financave, që menaxhon mjetet e Fondit, kishte deklaruar se mjetet e mbledhura “janë transparente dhe në dispozicion për autoritetet shtetërore që kanë të drejtë të qasjes”, por nuk tregoi se cilat institucione e kanë këtë të drejtë.
Ky hap nga organizatat e shoqërisë civile vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë sisteme kundërtanke, Javelin, në vlerë prej 75 milionë eurosh. Që blerja e tyre të finalizohet, duhet të marrë mbështetjen e Kongresit amerikan.
Shitja e këtyre armëve, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it.
Buxheti për këtë vit i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës është në vlerë prej 153.049.911 eurosh.
Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.