Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës do të nisë të enjten me një seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me çmimet e energjisë elektrike, të iniciuar nga PDK-ja dhe përkrahur edhe nga dy partitë të tjera opozitare, LDK dhe AAK. Partitë opozitare përmes rezolutës do të kërkojnë zbritjen e çmimit të rrymës dhe largimin e bllok-tarifës. Krahas kësaj, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, opozitarët shprehën gatishmërinë për shkuarjen në zgjedhje të reja, derisa nënvizuan se të njëjtat do të krijojnë qeverinë e ardhshme dhe jo partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se pas stabilizimit të çmimit të energjisë nivel global duhet të ketë reflektim edhe në Kosovë, duke zbritur çmimin e energjisë dhe largimin e bllok-tarifave.
Fillimin e sesionit pranveror të Kuvendit me seancë të jashtëzakonshme e konsideroi si jo të mbarë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se legjislativi do të duhej të fillonte me një seancë të rregullt dhe me agjendën legjislative.Ajo akuzoi PDK-në, e cila sipas saj po tenton të krijojë situata të jashtëzakonshme për të mos lejuar rrjedhën normale të punës në Kuvend.
Mirëpo kritik ndaj mazhorancës për bllokim të punës në Kuvend u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se LVV-ja po pengon funksionimin e rregullt të Komisionit hetimor për rezervat shtetërore.
Në anën tjetër, duke shprehur gatishmërinë për zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se partitë opozitare do të krijojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme dhe jo partia e tanishme në pushtet, LVV-ja.Me bindje të njëjtë u shpreh edhe kolegu i tij opozitar nga LDK-ja, Arben Gashi.
Të gatshëm për zgjedhje u shprehën edhe AAK-ja, ku thanë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i fitojë kurrë më 50 për qind të votave.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se qeveria dhe Kuvendi në vitin e fundit të mandatit qeverisës janë të përkushtuar për të kryer sa më shumë deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare.