Deputeti i LVV-së, Bujar Dugolli përmendi mungesën e aktakuzave ndaj të dyshuarve në rastin e Banjskës, teksa tha se policia ka qenë shumë efikase në ofrimin e provave. Ai pyeti ministrin se çfarë po ndodhë me Prokurorinë në këtë rast duke qenë se s’ka ndonjë aktakuzë të ngritur në këtë rast.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se mosreagimi i duhur dhe me kohë nga Prokuroria për kidnapimin e policëve të Kosovës bëri që tensionet në veriun e vendit të mbërrijnë deri te sulmi ndaj Policisë më 24 shtator.
Sveçla tha në Komisionin parlamentar për Siguri se “edhe terroristët, por edhe vetë Serbia do të ishte shumë më e rezervuar me sulme ndaj Kosovës”, në rast se nuk do të vononte ky reagim.
“Vonesat tona, toleranca nga dikush tjetër, i ka trimëruar ata të vijnë deri te rasti i Banjskës. Ne mund të pajtohemi që edhe mund të mos jetë rasti i fundit. Prej Serbisë pritet gjithçka. Është shumë me rëndësi, që si masë preventive të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm që këta terroristë të vihen para drejtësisë. Nuk kemi edhe shumë kohë. Kemi dëshmi e suksese, por nuk e kemi kohën e pafundme që të shkojmë deri në perfeksion, të cilën asnjë agjencion i sigurisë në botë nuk e ka pasur. Në qoftë se dikush dëshiron, apo ka vullnet t’i lirojë kriminelët, pavarësisht dëshmive të policisë, aty po thirremi pastaj në pushtete të ndara”, tha Sveçla.
Ministri foli edhe për pajisjen e policëve me armë të gjata, të cilat tha se do t’i kenë “të gjitha patrullat”.
“Ka qenë pak e çuditshme për mua se si më herët nuk kanë pasur të gjithë zyrtarët policorë certifikim për përdorim të armëve të gjata. Ne i jemi futur këtij procesi dhe të gjithë zyrtarët do të jenë të trajnuar edhe për përdorimin e armëve të gjata që i kanë në dispozicion”, u shpreh ai.
Sveçla tha se procesi hetimor për Banjskën tash është në duart e Prokurorisë dhe se beson që Prokuroria do të fillojë me ngritjen e aktakuzave dhe të dalë me raport përfundimtar për sulmin.
“Një pjesë e këtyre dëshmive janë publike, e një pjesë është në duart e prokurorisë. Unë besoj fuqishëm se është koha e fundit që prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën një raport përfundimtar. Duke qenë se siguria patjetër është e lidhur edhe me segmente tjera të punës së institucioneve, e sidomos në diplomaci, është e duhur që edhe partnerët tanë ndërkombëtarë zyrtarisht të jenë të informuar se çfarë ka ndodhur me sulmin në Banjskë, por edhe me atë se çfarë është zbuluar, si qëllimi i këtij grupi terrorist dhe të gjitha elementet tjera që e kanë mbështet, qoftë financiarisht, qoftë me trajnime e pajisje këtë grup terrorist që duhet tashmë se ka pasur për qëllim aneksimin e një pjese të veriut të Kosovës”, tha ai.
Sveçla tha se në Prokurori ka dëshmi të mjaftueshme dhe se Policia ka bërë identifikimin e “shumicës së pjesëmarrësve” në sulm, të kaluarën e tyre e angazhimin e tyre në rastet tjera.